Mobilizohen mjekët kosovarë – të gatshëm të zbarkojnë në Shqipëri, dhurojnë edhe të holla

Prishtinë | 28 Nën 2019 | 12:34 | Nga Bashkim Bekolli Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Tërmeti që ndodhi më 26 nëntor në Shqipëri shkaktoi mbi 40 viktima dhe mbi 600 të lënduar.

Menjëherë pas kësaj ngjarje janë mobilizuar të gjitha institucionet kosovare, por edhe qytetarët.

Edhe punonjësit shëndetësorë janë në gjendje gatishmërie për t’u dal në ndihmë personave të lënduar nga tërmeti në Durrës e Thumanë.

Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës (FSShK), Blerim Syla në një prononcim për Ekonomia Online thotë se menjëherë pas tërmetit kanë vënë kontaktet me sindikatat dhe qendrat mjekësore në vatrat e prekura.

“Në momentet e para kur ka ndodhur tërmeti kemi vënë kontaktet tona me dy qendrat atje, por edhe me sindikatat simotra me qëllim të informohemi për nevojat të cilat i kanë, mirëpo deri në ato momente nuk kanë pasur nevojë për staf shtesë mjekësorë dhe kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm, pasi që numri i të lënduarve sepse numri i të lënduarve tashmë e ka kaluar shifrën 600. Brenga jonë më e madhe ka qenë se a po mundemi të mbulojmë me staf dhe mjete medicinale”, thotë ai.

Ai thotë se mobilizimi ka ndodhur në nivel vendi dhe për këtë falënderoi të gjitha institucionet përkatëse.

“Kemi dhënë urdhër si FSShK në të gjitha regjionet e Kosovës që të kemi trupat në gjendje gatishmërie për intervenime atje. I falënderojmë drejtoritë komunale, QKMF-të, ShSKUK-në dhe të gjithë me të cilët jemi në koordinim të vazhdueshëm. Jemi duke pritur edhe në këto momente që nëse kanë nevojë me të gjitha mjetet tona edhe me personel mjekësor të shkojmë në zonat e prekura nga tërmeti”, thotë ai.

Përveç gatishmërisë profesionale Syla thotë se kanë mbledhur edhe një shumë parash prej 12 mijë eurosh të cilat do të dërgohen nesër në vatrat e prekura nga tërmeti dhe nga ku do të marrin edhe informacionet se për çfarë kanë nevojë më shumë të lënduarit.

“Ne si delegacion nesër në koordinim me ambasadorin e Kosovës do të shkojmë në Durrës dhe nga dora e parë do t’i marrim informacionet se për çka kanë nevojë më shumë nga ana medicinale. Nëse ata kanë nevojë ne jemi të gatshëm, ekipet dhe spitalet i kemi gati. Por mbi të gjitha vullneti i punëtorëve shëndetësorë është aq i madh, aq i jashtëzakonshëm. Neve kemi marr një vendim që të mos i ngarkojmë punëtorët shëndetësorë shumë, por kemi caktuar një shumë prej 1 euro për secilin anëtarë të sindikatës që është shuma diku përmbi 10 mijë euro dhe 2 mije euro i kemi ndarë për familjen e dy vëllezërve nga Gjilani që vdiqën nga tërmeti. Andaj solidariteti është shumë i madh”, tha ai për EO.

Të ngjashme