Molliqaj: A është Albin Kurti kryeministër apo gazetar

Prishtinë | 26 Shk 2020 | 19:25 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i PSD-së Dardan Molliqaj, përmes një postimi të bërë në Facebook, ka thënë se sot Kurti nuk dihet nëse e luajti rolin e kryeministrit apo gazetarit, duke publikuar marrëveshjen sekrete të Presidenti Hashim Thaçi me sekretarin e Përgjithshëm të NATO’s në vitin 2013.

Sipas Molliqajt, veprimi i Thaçit është antikushtetues, por thotë se qëndrimi i Kurtit ka qenë krejtësisht neutral.

Ja statusi i plotë:

Kurti: Kryeministër apo gazetar

Sot, Kurti paska zbuluar një marrëveshje sekrete në mes të Thaçit dhe NATO-s, e cila i jep KFOR-it të drejtën e vetos absolute për të gjitha misionet e FSK-së në veri të vendit, për afat të pacaktuar.

Kjo marrëveshje e bërë në fshehtësi të plotë, cënon drejtpërdrejtë kushtetutshmërinë e Kosovës. Hashim Thaçi duhet të japë llogari para drejtësisë.

Sot, në anën tjetër, kryeministri Kurti deklaroi neutralitetin e tij të plotë karshi një marrëveshjeje sekrete, njësoj siç deklaroi neutralitet karshi marrëveshjeve me Serbinë për hekurudhat dhe vijën ajrore. Albin Kurti ka marrë rolin e një gazetari hulumtues që publikon marrëveshje por nuk deklaron asnjë qëndrim nëse qeveria e tij është PRO apo KUNDËR këtyre marrëveshjeve.

Qeveria Kurti, tashmë ka marrë rolin e qeverisë ANKUESE që akuzon tjerët për marrëveshje, kurse nuk guxon të ndërmarrë hapa për t’i kundërshtuar e anuluar ato ato.

Kërkesa për shkarkim të Thaçit është e domosdoshme, por nëse kjo nuk rezulton edhe me anulim të marrëveshjes, atëherë po qartësohet që Kurti mund t’i përdorë marrëveshjet për të shkarkuar kundërshtarët politikë, por nuk ka synim t’i ndërrojë, anulojë apo përmirësojë ato. Po dëshmohet që lufta e Kurtit ka qenë luftë për ndërrim figurash, por jo për ndërrimin e projektit dhe modelit mbi të cilin është qeverisur Kosova.

Të ngjashme