Molliqaj: Kurti e ka degraduar pozicionin ndërkombëtar të Kosovës, dhe ka përshpejtuar themelimin e entitetit politik serb

Prishtinë | 26 Shk 2023 | 08:40 | Nga Artiona Çitaku Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka vlerësuar se qasja kokëfortë e kryeministrit Albin Kurti në dialog me Serbinë ka qenë e gabuar dhe e ka degraduar pozicionin e Kosovës në raport me bashkësinë ndërkombëtare, sidomos me ShBA-në.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Molliqaj thotë se drejtimi që ka marrë procesi i dialogut është shumë e rrezikshme, jo vetëm për tashmen, por edhe për të ardhmen e Kosovës. “Për shkak se e ke pranuar logjikën e shtimit të drejtave, formalisht të serbëve në Kosovë e realisht të Serbisë në Kosovë”.

“Kurti me këtë negociim që e ka bërë për këto dy vite të qeverisjes së tij, me bashkësinë ndërkombëtare dhe Serbinë, e ka degraduar pozicionin e Kosovës edhe në raport me ndërkombëtarët, edhe në raport me Serbinë; e ka faktorizuar në mënyrë të jashtëzakonshme relacionin Serbi-Shtete të Bashkuara të Amerikës dhe në mënyrë të paparë ndonjëherë e ka përshpejtuar themelimin e entitetit politik serb në Kosovë”, ka theksuar Molliqaj.

Ai ka thënë se Plani Franko-Gjerman është vetëm në favor të Serbisë dhe nuk duhet të pranohet nga Kosova, edhe nëse pranohet nga Kurti.

“Kur të publikohet Plani Franko-Gjerman, bashkë me aneksin e zbatimit, aty do ta shihni që i ka veç dy vlera, të dyja në shërbim të Serbisë. E para, pranimi i kornizës së dialogut që s’ka me u kërku njohja, jo sot po as në të ardhmen, nga Serbia’ dhe e dyta zbatimi i Asociacionit. Çështjet e tjera janë periferike dhe të parëndësishme”, ka theksuar Molliqaj.

Tani, Molliqaj shpreh frikën se saga e dialogut do të vazhdojë edhe për shumë vite. Thotë se Kosova nuk do ta fitojë as në të ardhmen njohjen nga Serbia.

“Sa i përket procesit, ai tashmë ka marrë udhë, ka marrë drejtim. Është në drejtim shumë të rrezikshëm dhe shumë të gabuar për çështjen e Kosovës, jo vetëm për aktualitetin, por edhe për të ardhmen”.

“Prandaj nuk është debat, ose nuk do të duhej të ishte debat më në shoqërinë e Kosovës, a e pranon Kurti, po a duhet Kosova ta pranojë. A ka zgjidhje tjetër për Kosovën dhe a kemi kohë për me bë ndryshime të tilla?”

“Ne besojmë se Kosova nuk duhet me pranu, ne besojmë se ka mundësi të tjera”, ka thënë ish-bashkëpunëtori i afërt i Kurtit, me të cilin para disa vitesh ishin në ballë të protestave masive kundër “Zajednicës”, sikur e quanin atëherë.

Molliqaj thotë se PSD-ja e kishte parashikuar qe sa kohë se qasja dhe kokëfortësia e Kurtit “kinse për ta ruajtur fytyrën para votuesve të vet” do të sillte këtë situatë shumë të disfavorshme për Kosovën.

“Ka vite që ne si Parti Socialdemokrate kemi parashikuar një zhvillim negativ për Kosovën, siç është marrëveshje pa njohje nga Serbia, pa njohje nga 5 shtetet në bllok siç është pritur të Bashkimit Evropian, por me Asociacionin në qendër. Madje vitin e kaluar e kam një postim në faqen time zyrtare ku themi ‘Jo njohja në qendër, por Asociacioni në qendër'”.

“Në momentin që e ke pranuar Planin Franko-Gjerman e ke pranuar më shumë sesa Asociacionin. Asociacioni as që është në diskutim, për shkak se e ke pranuar logjikën e shtimit të drejtave, formalisht të serbëve në Kosovë e realisht të Serbisë në Kosovë”, ka thënë Molliqaj.

Kurti dhe Osmani kanë menduar se Perëndimi do ta bombardojë Serbinë, duke e quajtur Vuçiqin si ‘Putini i vogël'”

Dardan Molliqaj, në këtë intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se udhëheqësit shtetërorë të Kosovës, Albin Kurti e Vjosa Osmani, janë munduar të përdorin taktika të gabuara, duke tentuar që “ta tregojnë fytyrën e vërtetë të Serbisë”.

Sipas tij, Kurti e Osmani kanë menduar se perëndimi do ta bombardojë Serbinë, vetëm pse ata po thonë se presidenti Vuçiq është “Putini i vogël”.

“Dy taktika të gabuara nga dy udhëheqësit e shtetit kanë qenë: E para ka qenë ajo që me i bindë Perëndimin se kush është Serbia me pretendimin që Perëndimi nuk e njeh Serbinë. Kjo ka qenë një lexim i gabuar i zhvillimeve gjeostrategjike, përkatësisht luftës në Ukrainë. Në vend se të shohim nevojën urgjente për një zgjidhje në Kosovë, ata menduan që tash Perëndimi do të gjuajë bomba përsëri në Beograd vetëm që mbetet presidentja e Kosovës dhe kryeministri të thonë që Putini i vogël është Vuçiqi”.

“Ky ishte një lexim i dëmshëm për Kosovën, shumë me pasojë të mëdha dhe rrjedhimisht është rezultat i punës të gabuar të kryeministrit dhe presidentes të Kosovës, sa i përket zhvillimeve tjera, mua nuk më duket që ka ndonjë hapësirë të re për asgjë tjetër”, u shpreh Molliqaj.

Ish-bashkëpunëtori, ndër më të ngushtët, i Kurtit sa ishte në Vetëvendosje, ka komentuar dhe mungesën e takimit me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, nga Kurti dhe Osmani, të cilët ndodheshin në Konferencën e Mynihut? (Nga ana tjetër Blinkeni ai e takoi Vuçiqin)

“Sa i përket me amerikanët, mua më duket që Kurti ka rrezikuar këto marrëdhënie duke dashtë me e ruajtë atë që mund ta quajmë kapelën e politikanit revolucionar që s’bën kompromise. Pra kostoja që e paguan Kosova, është kostoja e Albin Kurtit. Pra nuk është rezistencë për me e rritë cilësinë e marrëveshjes karshi Kosovës, është me e ruajtë fytyrën e Albin Kurtit para votuesve e kostoja është shumë e madhe sepse është njëfarë ftohje me ShBA-në”.

“Është e qartë që asnjë politikan i Kosovës që është në Qeveri, derisa nuk e pranojnë marrëveshjen, nuk mund të udhëtojë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo është për herë të parë dhe është shumë e keqe. Prapë po e them, nuk është bërë për me e ruajtë cilësinë e marrëveshjes për Kosovën, por është bërë me e ruajtë fytyrën e Kurtit para votuesit të vet”, tha Molliqaj.

Të hënën më 27 shkurt në Bruksel do të takohen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe është paralajmëruar mundësia që të nënshkruhet (qiten inicialet) në Planin Franko-Gjerman.

Të ngjashme