Deputeti Dardan Molliqaj nga grupi i deputetëve të pavarur ka ngritur shqetësimin për arrestimin e djeshëm të shtetasve turq, ndërkaq dyshon se arrestimi i Marko Gjuriq mund të jetë bërë vetëm për aspektin medial.
“Dua ta ngreh shqetësimin sa i përket veprimit të djeshëm”, tha Molliqaj.
“Është hera e dytë që gjatë javës kemi dy aksione të shtetit të Kosovës, përkatësisht organeve të rendit që në opinionin publik në vazhdimësi është duke u folur se kush ishte prapa tyre”.
“Në media dhe jo në media u deklarua që prapa këtij vendimi qëndron presidenti i Kosovës”.
“Sot e kësaj dite nuk e kemi të qartë nëse ky veprim ishte vendosur nga presidenti i Republikës”, vijoi ai duke iu referuar arrestimeve të djeshme të shtetasve turq.
Molliqaj tha se gjatë javës kanë ndodhur dy aksione, dhe ndonëse grupi i deputetëve të pavarur e kanë përkrahur zbatimin e ligjit me rastin e arrestimit të Marko Gjuriqit, ai përmendi mbledhjen e Listës Serbe e cila ka shpallur në mënyrë të njëanshme stemën e Asociacionit për çka tha se paraqet cenim të sovranitetit të Kosovës.
“Një ditë më pas kemi një mbledhje të Listës Serbe e cila shpall stemën e Asociacionit në mënyrë të njëanshme dhe nuk kemi asnjë veprim nga institucionet e Kosovës. Ose hera e parë ka qenë gabim ose ka qenë një akt i cili ka qenë krejtësisht për aspektin medial”.
Molliqaj tha se edhe hera e dytë, ajo e shpalljes së njëanshme të stemës nga Lista Serbe, përbën cenim të sovranitetit dhe territorit të shtetit.
Sa i përket arrestimit të gjashtë shtetasve turk, Molliqaj ka mbetur i shqetësuar nga deklarimet e liderëve të shtetit që kanë thënë se nuk dinë lidhur me arrestimin e shtetasve turk.
“Nëse nuk është presidenti, kryeministri, kryetari i Kuvendit, kush qëndron prapa këtij vendimi? Pres së pari një deklarim nga institucionet për këtë çështje. E kuptoj që mund të ketë veprime të shkarkimit, por kjo për mua nuk e zgjidh problemin. Pyetja më e madhe është, kujt i thanë ta bëjnë një veprim të tillë?”.