Avokati Ardian Bajraktari ka njoftuar për finalizimin e një monografie kushtuar padisë ndaj aktit nënligjor normativ në gjykimin administrativ, duke e cilësuar këtë institut si një zhvillim të rëndësishëm në të drejtën administrative dhe praktikën gjyqësore.
Sipas Bajraktarit, instituti i padisë ndaj aktit nënligjor normativ, i paraparë me Ligjin e ri për Konfliktet Administrative, ka sjellë ndikim të konsiderueshëm në praktikën gjyqësore.
“Instituti i padisë ndaj aktit nënligjor normativ, i paraparë me Ligjin e ri për Konfliktet Administrative, ka sjellë një ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e praktikës gjyqësore”, ka deklaruar ai.
Bajraktari ka theksuar se brenda një periudhe relativisht të shkurtër, Gjykata Supreme ka shpallur të paligjshme dhe ka shfuqizuar një numër të konsiderueshëm aktesh nënligjore normative, duke prodhuar efekte konkrete në mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të qytetarëve.
“Ky institut ka sjellë një ndikim të drejtpërdrejtë në praktikë, duke u mundësuar kategorive të ndryshme të qytetarëve, përfshirë pensionistë, veteranë të UÇK-së, zyrtarë të administratës publike, një mjet efektiv juridik kundër akteve të paligjshme të administratës”, është shprehur ai.
Ai ka bërë të ditur se së bashku me kolegët e tij, Florent Muçaj dhe Besim Kajtazi, kanë finalizuar monografinë “Padia ndaj aktit nënligjor normativ në gjykimin administrativ”.
“Së bashku me dy kolegët dhe miqtë e mi, Florent Muçaj dhe Besim Kajtazi, arritëm ta finalizojmë Monografinë për Padinë ndaj aktit nënligjor normativ në gjykimin administrativ, si një kontribut të ri në doktrinën dhe praktikën e të drejtës administrative”, ka deklaruar Bajraktari.
Sipas tij, monografia trajton konceptin, llojet dhe natyrën juridike të akteve nënligjore normative, mënyrën e hartimit të tyre, raportin me parimet themelore të procesit legjislativ, si dhe mekanizmat e kontrollit të ligjshmërisë së tyre.