Zëdhënësja e MPB-së, Nora Fetoshi, në një përgjigje për Gazetën Express ka konfirmuar se Ministria e Punëve të Brendshme sot ka nisur fushatën për çështjen e tabelave ilegale, pra largimit të tyre dhe regjistrimit të veturave me tabela të Republikës së Kosovës. Ajo ka thënë se kjo po bëhet përmes mesazheve telefonike dhe fletushkave. Fetoshi […]
MPB: Kemi dërguar SMS në gjuhën serbe si fushatë për targat, deri tani janë regjistruar 18 vetura

Fetoshi ka thënë se serbët janë njoftuar përmes SMS në gjuhën serbe, për mundësinë e ofruar për regjistrimin e veturave të tyre me tabela RKS.
‘Ministria e Punëve të Brendshme në kuadër të fushatës informuese mbi procesin e regjistrimit të mjeteve motorike me tabela legale RKS dhe largimit të tabelave ilegale, sot ka nisur fushatën e komunikimit elektronik, duke i’u nisur secilit abonent nga një SMS dhe ka vazhduar me shpërndarjen e fletushkave. Përmes kësaj ne po vazhdojmë fushatën tonë me qëllim të informimit të secilit qytetarë për procedurat dhe lehtësimet të cilat dalin nga ky proces duke lehtësuar kështu qasjen e tyre në informacion përmes komunikimit me SMS në gjuhën serbe. Gjithashtu, për të gjithë të interesuarit ne kemi ofruar edhe numrin telefonik pa pagesë 0800 GO-RKS (0800 46 757)”, ka thënë ajo për Express.
Ajo ka thënë se deri tani janë regjistruar me targa të Republikës së Kosovës 18 vetura. Gjashtë nga rajoni i Gjilanit, 7 nga Mitrovica, tri nga Prizrenit dhe 2 nga Prishtina.
“Gjersa fushata për informim po vazhdon, ditëve të fundit është rritur interesimi i qytetarëve për regjistrim të veturave dhe kthimit të targave në RKS dhe numri i regjistrimeve të mjeteve motorike ka arritur në 18 sosh. Nga Regjioni 06 – kemi 6 automjete, nga Regjioni 02- kemi 7 automjete, nga Regjioni 04 – kemi 3 automjete dhe nga Regjioni 01 – kemi 2 automjete”, ka shtuar ajo.
Nga MPB thonë se sundimi i ligjit është prioritet dhe se fushata do të vazhdojë nëpër gjithë Kosovën deri më 31 tetor kur edhe përmbyllet ky proces.
“Liria e lëvizjes, barazia por edhe sundimi i ligjit mbeten prioritete tona. Ndërkohë, ne do të vazhdojmë fushatën intensive anëmbanë Kosovës që deri me 31 tetor ky proces të përmbyllet.”, ka përfunduar ajo.
Sot për çështjen e dërgimit të SMS në tek serbët që jetojnë në Kosovë ka folur kreu i të ashtuquajturës “Zyra për Kosovën” në qeverinë e Serbisë.













