MPJ bën thirrje të mos udhëtohet nëpër Serbi, e bën përgjegjës Daçiqin për sulmin e autobusit të Kosovës

Prishtinë | 25 Gus 2019 | 10:15 | Nga Ekonomia Online

Të shtunën mbrëma është sulmuar një autobus me udhëtarë kosovarë në Krushevac të Serbisë. Ministria e Punëve të Jashtme ka thënë se ky sulm tregon pengesat me të cilat po përballen qytetarët e Kosovës gjatë udhëtimit nëpër Serbi.

Zëdhënësi i MPJ’së, Jetlir Zyberar, ka thënë për Express se sulmet e tilla janë shqetësuese. Ai ka thënë se ky sulm dëshmon se nuk ka liri të lëvizjes.

“Ne e dënojmë fuqishëm sulmin ndaj autobusit që udhëtonte nga Kosova përmes Serbisë. Ky sulm tregon përsëri pengesat me të cilat përballen qytetarët e Kosovës gjatë udhëtimit nëpër Serbi. Nuk ka liri të lëvizjes. Ne jemi thellësisht të shqetësuar që sulmet e vazhdueshme si ajo në Konsullatën e Kosovës në Kopenhagë dhe tani ndaj autobusit nuk po ndalen nga Beogradi dhe mbështeten nga mekanizmat e sigurisë serbe”, ka thënë Zyberaj.

Zyberaj ka shtuar se MPJ është në kontakt me BE-në dhe kërkon përgjegjësi të plotë nga Beogradi për këto sulme.

Po ashtu, ai ka shtuar se MPJ u bën thirrje qytetarëve që t’u shmangen udhëtimeve përmes Serbisë, derisa nuk ka siguri për ta.

“Përderisa Ministri Daçiç si ish zëdhënës i Millosheviçit i bën të gjitha përpjekjet e tij për lajme të rreme dhe propagandë kundër Kosovës, ai duhet të përqendrohet në ndalimin e incidenteve që janë iniciuar nga vetë Beogradi. Ne jemi në kontakt me BE dhe kërkojmë përgjegjësi të plotë dhe garancione nga Beogradi për sigurinë nëse qytetarët tanë udhëtojnë nëpër Serbi. Gjithashtu përsërisim thirrjen e MPJ së Kosovës që të shmanget udhëtimi nëpër Serbi përderisa nuk ka siguri për Kosovarët dhe incidentet vazhdojnë. Kjo është vazhdimësi e incidenteve dhe jo rast i izoluar”, ka thënë Zyberaj.

Autobusi po udhëtonte nga Prishtina për në Frankfurt, kur u godit derisa po kalonte nëpër Serbi. Sipas dëshmitarëve të rastit, autobusi ishte kryesisht i mbushur me shqiptarë që po udhëtonin në perëndim.

Një nga personat që po udhëtonte me autobus ka thënë se derisa autobusi po kalonte nëpër qytetin Krushevac në Serbi, është gjuajtur me gurë.

Ai ka treguar se nuk ka ndonjë të lënduar dhe autobusit i janë thyer vetëm xhamat.

Të ngjashme