Ministria e Shëndetësisë nëpërmjet një tenderi ka kërkuar një produkt në formën farmaceutike që nuk e prodhon askush. Ministria ka specifikuar në tender produktin Methylprednsion si solucion (tretje), megjithatë në gjithë botën ky bar ekziston vetëm si “pluhur për injektim”.
Produktin Methylprednison si tretje e ka të regjistruar vetëm një kompani në Kosovë, ndonëse në formë të tillë me këtë dozë nuk e prodhon askush. Megjithatë kompania barin e regjistruar si solucion në treg e shet si “pluhur steril”, shkruan sot “Koha Ditore”.
Produkti i kërkuar nga MSh-ja si solucion në dozën 40 miligramë për 1 mililitër prodhohet vetëm si pluhur për tretësirë. Në formën e solucionit ekziston vetëm në dozën 500 mg dhe madje si produkt depo, që nënkupton se bari qëndron në trup mbi një javë. Por kjo formë nuk përdoret për rastet siç ka kërkuar MSH-ja..