Analisti Shenoll Muharremi ka kritikuar ashpër Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se gjatë kohës sa ishin në opozitë kishin ndërtuar një kauzë të fortë politike kundër dialogut me Serbinë, importeve nga ky shtet dhe praktikave të ndryshme qeverisëse, por se pas ardhjes në pushtet kanë vepruar ndryshe.
Në një reagim të tij, Muharremi ka deklaruar se LVV-ja dhe Kurti “na kanë lodhë me vite e dekada” me qëndrime kundër dialogut me Serbinë.
“Patriota me bateri të lodhta”, ka shkruar ai, duke iu referuar ndryshimit të qëndrimeve të subjektit në pushtet.
Sipas Muharremit, dialogu me Serbinë nuk është ndalur, ndërsa ai pretendon se janë zhvilluar edhe kontakte përmes emisarëve, larg syve të publikut dhe pa transparencë të mjaftueshme.
Ai ka kritikuar gjithashtu praninë e produkteve serbe në tregun e Kosovës, duke pretenduar se në disa raste produktet vendore po përballen me më shumë vështirësi sesa ato të importuara.
Postimi i tij i plotë:
“Serbia, Serbia, Serbia…”
LVV e Albin Kurti na kanë pas lodhë me vite e dekada sa ishin në opozitë:
-Nuk dialogojmë me Serbinë.
-Nuk importojmë produkte nga Serbia.
-Nuk kështu, e nuk ashtu…
Krejt i banën. “Patriota” me bateria të lodhta.
Kanë negociu e dialogu haptas, e edhe më shumë fshehtë përmes emisarëve. Thuajse kurrë dialogu nuk është ndalë, larg syve të qytetarëve e pa transparencë..
Produktet e Serbisë janë plotësisht në treg e në marketet tona… ma shumë po duken që po i luftojnë produktet tona të Kosovës në raste.
Tash po del që edhe TRENAT PO I SERVISOJMË atje tinza!
Krejt OK, sikurse LVV e Kurti mos të na kishin lodhë me vite e dekada me një “kauzë” e agjendë kinse nacionaliste e patriotike, që tash po del se ka qenë një mashtrim i madh për publikun dhe Kosovën.
Krejt çka kanë thënë “nuk e bëjmë”, e kanë bë… edhe ma zi.
E kjo nuk është vetëm me Serbinë.
Edhe kontrata njëburimore, pa publikim, me qindra e mijëra janë bë… nga po këta që kanë thënë se janë kundër dhe e luftojnë korrupsionin në tenderët publikë.
Janë mbushë bordet, agjencitë e institucionet me militantë partiakë!! Nga po këta që kanë premtu “çkapjen e shtetit”. E kapën vetë, edhe ma fuqishëm sesa tjerët.
LVV e Albin Kurti?
Një rrenë e madhe, një mashtrim i jashtëzakonshëm i publikut me kauza te rreme e premtime që nuk u zbatuan kur erdhën në pushtet.