Mungesa e bashkëpunimit mes MSh-së dhe komunave, shkak i problemeve të kujdesit parësor shëndetësor

Prishtinë | 05 Kor 2018 | 11:24 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në diskutimin e organizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Ambasada e Zvicrës me përfaqësues të komunave të Kosovës, u tha se mungesa e bashkëpunimit mes kësaj ministrie dhe komunave ka bërë që kujdesi parësor shëndetësor të mos jetë në nivelin e duhur.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, tha se për shkak të moskoordinimit nuk kanë pasur një pasqyrë të saktë rreth asaj se çfarë nevojash kanë komunat.

“Ajo çfarë ne kemi parë është se kemi nevojë për një rifokusim dhe intensitet më të lartë të këtij prioriteti. Ministria e Shëndetësisë sheh një ngarkesë në nivelin dytësor dhe tretësor, por nuk ka pasë një fokusim në atë parësor”.

Ismaili kërkoi nga përfaqësuesit e komunave që të prezantojnë kërkesat e tyre, raporton Ekonomia Online.

“Kemi pasur diskutim jashtëzakonisht të madh për me dalë me një mundësi që me investu. Pika e parë është të dimë në mënyrë të saktë se cilat janë nevojat e sakta në infrastrukturë, në listën e barnave, në punëtorë. Ka një mungesë të vizionit të përbashkët të Ministrisë së Shëndetësisë dhe komunës suaj. Një mungesë e koordinimit të tillë besoj që po na lëndon të gjithëve në aspekt të investimeve”.

Në anën tjetër, ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet, tha se për përmirësim të kujdesit parësor shëndetësor duhet të plotësohen tri parakushte: vullneti politik, mbështetja financiare dhe ajo teknike.

“Ai e përmendi si fakt se ju i përkisni partive të ndryshme politike. Kam zotimin e ministrit se nuk do të shikojë këtë aspekt, sepse ka të bëjë me shëndetin. E dyta, mbështetja financiare, kjo varet nga ministri i Financave që të gjejë fonde dhe të ju japë. Ne e dimë që kujdesi shëndetësor është i shtrenjtë, por më shumë ka të bëjë me vullnetin politik”.

“Parakushti i tretë, mbështetja teknike profesionale. Kosova duhet të aplikojë protokollet klinike që të tregojë se kush ofron shërbime teknike ku dhe ne çfarë niveli”.

Ambasadori zviceran tha se Zvicra veçse mbështet 12 komunat partnere, mirëpo, sipas tij, komunat janë “bërthama”e konceptit për përmirësimin e shëndetit , raporton EO.

“Zvicra e mbështet kujdesin parësor shëndetësor në 12 komunat partnere dhe është një bërthamë e këtij koncepti që të përmirësojmë cilësinë e shëndetit. Fryma e këtij projekti është që të dëgjojmë për pacientin dhe këtë mund ta bëjmë vetëm prej juve. Çfarë po ndodh këtu dhe si të ballafaqohemi me komunat e juaja”.

Agim Veliu, kryetar i komunës së Podujevës, tha se ka dallime të shumta mes komunave sa i përket përkrahjes.

“Gjendja në komuna nuk është e njëjtë, diku është më mirë, diku më keq. Ka dallime të mëdha edhe prej infrastrukturës, rrjetit të shtrirjes së ambulantave në teren, ka dallime edhe sa i përket numrit të të punësuarve”.

“Ne kemi vështirësi të mëdha edhe me buxhetet komunale, sepse janë të limituara shpeshherë. Qeveria i vendos ata kufijtë për komunat që ne nuk mundemi me i shpërthy, edhe pse e dimë që nuk janë në rregull”.

Mbështetje për programin që do të bëjë vlerësimin e cilësisë së kujdesit parësor shëndetësor premtoi edhe kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci.

“Unë garantoj edhe ministrin edhe ambasadorin se do ta kenë të gjithë bashkëpunimin tim edhe të stafit profesional dhe njëkohësisht falënderoj qeverinë zvicerane për ndihmën që i ka dhënë komunës sime”.

Programi për kujdesin parësor shëndetësor pritet të fillojë në vitin 2019.

Të ngjashme