Prizren- Për shkak të mungesës së avokatit Driton Shehu, mbrojtës i të akuzuarit Arben Krasniqi, është shtyrë seanca e së premtes në Gjykatën Themelore në Prizren, në rastin ku në cilësinë e zyrtarëve të Prizrenit, Arben dhe Shqipron Krasniqi akuzohen për korrupsion.
Gjykatësja Teuta Krusha ka bërë të ditur se avokati Shehu ndodhet jashtë vendit për arsye familjare, andaj seanca e sotme u shty.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, më 11 qershor 2020, të akuzuarit Arben Krasniqi dhe Shqipron Krasniqi po ngarkohen se në bashkëkryerje kanë keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare, në atë mënyrë që në procedurën jokontestimore të zhvilluar pranë Gjykatës Themelore në Prizren në mënyrë të paligjshme kanë mundësuar këmbimin e pronës së Komunës së Prizrenit me pronën e propozuesit Vitmir Jemini.
Në aktakuzë thuhet se Shqipron Krasniqi, në cilësi të përfaqësuesit ligjor të Komunës së Prizrenit, në procedurën jashtëkontestimore të zhvilluar, nuk e kundërshton propozimin e propozuesit të parashtruar për rregullimin e vijës kufitare të tokës (mexhës), në të cilën procedurë ai ka përfaqësuar Komunën e Prizrenit, e gjatë së cilës procedurë një pjesë e ngastrës kadastrale, pronë e Komunës së Prizrenit, këmbehet me një pjesë të ngastrës kadastrale tjetër, pronë e propozuesit Vitmir Jemini, e gjithë kjo në kundërshtim me Ligjin për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës.
Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Arben Krasniqi, në cilësi të udhëheqësit të Sektorit Ligjor pranë Kuvendit Komunal në Prizren dhe i pandehuri Shqipron Krasniqi, në cilësi të përfaqësuesit ligjor pranë Sektorit Ligjor të Komunës së Prizrenit, nuk parashtrojnë mjetin e rregullt juridik – ankesën, ndërsa pas përfundimit të kësaj lënde, propozuesi Vitmir Jemini, pajiset me leje ndërtimore dhe me këtë këmbim të sipërfaqes prej 90 m2, i mundësohet ndërtimi i objektit – aneksit, ndërtesës banesore, të quajtur “Aneksi i Ri Euro Center”, që gjendet në rrugën “Adnan Krasniqi”, në Prizren.
Me këtë, të akuzuarit po ngarkohen me veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi