Mungon njëri i akuzuar, dështon sërish shqyrtimi gjyqësor në rastin për dëmtimin e KEK-ut në vlerë 53 mijë euro

Prishtinë | 26 Tet 2022 | 15:02 | Nga Ekonomia Online

Për shkak të mungesës së të akuzuarit Tefik Hargaja, ka dështuar sërish të mbahet shqyrtimi gjyqësor për rastin e dëmtimit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), në vlerë prej  53 mijë euro.

Në këtë rast, Nazmi Musliu bashkë me  Zeqir Gashin, Rexhep Gashin, Agron Hajrizin dhe Qazim Reqicën po akuzohen se kanë dëmtuar KEK-un në vlerë prej 53 mijë euro, duke keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare. Ndërsa, për veprën penale të mashtrimit po akuzohet Tefik Hargaja.

Lidhur me mungesën e të akuzuarit Hargaja, kryetari i trupit gjykues Ngadhnjim Arrni deklaroi se gjykata nuk ka prova  nëse i njëjti është ftuar në mënyrë të rregullt apo jo.

Ndërsa mbrojtësi i të njëjtit është ftuar me ftesë të rregullt, mirëpo mungesën e tij nuk e ka arsyetuar sot.

Përkundër mungesës së të akuzuarit, në seancën e sotme e pranishme ishte prokurorja e shtetit Fitore Sadiku si dhe të akuzuarit e tjerë me mbrojtësit e tyre.

Meqenëse nuk u plotësuan kushtet ligjore për mbajtjen e seancës së sotme, gjykatësi Arrni, e ndërpreu atë dhe atë të radhës e caktoi për 3 nëntor të këtij viti, raporton “Betimi për Drejtësi”

Ndryshe, aktakuza e ushtruar në nëntor të vitit 2018, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ngarkon Zeqir Gashin, Qazim Reqicën dhe Rexhep Gashin, se kanë shfrytëzuar detyrën zyrtare  në KEK- Obiliq, duke pranuar nga operatori ekonomik “Univers-M” katër reduktorë të 15KW nga pozicioni i 33, i të njëjtës kontratë, mall ndryshe me atë të kërkuar në kërkesë dhe të shkruar në flete dërgesë dhe në fatura.

Me këtë, në bashkëkryerje të pandehurit po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënuar me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Tutje, sipas aktit akuzues, me datë, kohë dhe vend të njëjtë i akuzuari Agron Hajrizi, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore ka shfrytëzuar detyrën zyrtare, ku si person përgjegjës për përcjelljen e kontratës nga autoriteti kontraktues nuk e ka bërë përcjelljen e saj ashtu siç është e rregulluar me ligj dhe në këtë mënyrë ka mundësuar blerjen e katër reduktorëve të 15KË nga pozicioni i 33-të i të njëjtës kontratë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në maj të 2016-ës, në KEK-Obiliq, i akuzuari Nazmi Musliu duke shfrytëzuar detyrën zyrtare si person përgjegjës për përcjelljen e kontratës nga autoriteti kontraktues, ka nënshkruar kërkesën për blerjen e katër reduktorëve të 14KË nga pozicioni i 11-të i kontratës me çmim prej 16 mijë euro për copë, edhe pse në të njëjtën kontratë në pozicionin 33 kishte reduktorë të 15KË me çmim prej 2 mijë e 600 euro për copë.

Me këtë, Hajrizi dhe Musliu po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Ndërsa, Tefik Hargaja akuzohet se si person përgjegjës mashtron KEK-un si autoritet kontraktues, duke dorëzuar katër reduktorë të 15-të të pozicionit 33 me çmim prej 2 mijë e 600 euro për copë, ndërsa i kishte faturuar si në kërkesën e Autoritetit Kontraktues- KEK, me fletëdërgesë  me çmim prej 16 mijë euro për copë ashtu siç ishte në pozicionin nr.11 të kontratës, duke i shkaktuar dëm buxhetit të KEK-ut në vlerë prej 53 mijë euro.

Me këtë, i pandehuri Hargaja ngarkohet se e ka kryer veprën penale “Mashtrimi” sipas neni 335, paragrafi 5 të Kodit Penal, vepër kjo që dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre deri në dhjetë vjet. 

Të ngjashme