Muralit të kriminelit Mladiq në Beograd i shtohet edhe ai i çetnikut Drazha Mihajloviq

Prishtinë | 17 Nën 2021 | 12:55 | Nga Ekonomia Online

Beogradi është gdhirë sot me një tjetër mural kontrovers. Skaj atij të kriminelit të luftës, Ratko Mladiq, që nxiti polemika, kritika e edhe kërcënime me jetë, është bërë edhe ai i lëvizjes çetnike serbe, Drazha Mihajloviq.

Në rrugën “Njegosh” në kryeqendrën e Serbisë, tashmë dy kriminelë qëndrojnë krah për krah.

Derisa muralit të Mladiqit i është vënë mbishkrimi “Gjeneral, faleminderit nënës tënde”, atij të Mihajloviqit i është vënë mbishkrimi “Gjithçka, ka roje, gjithçka është roje”.

Ditëve të fundit ka pasur përpjekje për të shlyer muralin e Mladiqit, për çka janë arrestuar dy aktiviste. Një ditë më vonë, politikani liberal Gjorgjo Zhujoviq hodhi një kovë me ngjyrë mbi mural, por shpejt u desh të ikë nga Beogradi pas kërcënimeve me jetë.

Për muralin e Mladiqit, të dënuar nga Tribunali i Hagës me dënim të përjetshëm për krimet e luftës në Bosnjë dhe gjenocidin në Srebrenicë, kanë reaguar edhe disa eurodeputetë, duke thënë se një vend që aspiron BE-në nuk mund të ruajë kriminelët.

Ky reagim erdhi pasi pranë muralit u vendosën disa persona, e që mediat e pavarura në Serbi raportuan se bëhet fjalë për policë civilë.

Ndërkohë, Drazha Mihajloviq si lider i lëvizjes çetnike konsiderohet përgjegjës për vrasjen e mijëra joserbëve në hapësirat e ish-Jugosllavisë gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, përfshirë edhe shumë fëmijë. Ai u ekzekutua më 1946 nga forcat komuniste të ish-Jugosllavisë.

Të ngjashme