Murati e Lushtaku përplasen për vlerën e koeficientit – Njëri thotë se është rritë paga, e tjetri e quan humbje shprese

Prishtinë | 03 Shk 2023 | 14:50 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Financave, Punës dhe Transferev, Hekuran Murati dhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Mërgim Lushtakun, kanë pasur një përplasje ndërmjet vete, në lidhje me vlerën e koeficientit të Pagave, raporton Ekonomia Online.

Në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, ku është shqyrtuar Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore, deputeti i PDK-së, konsideron se sektorit publik po u humb shpresa, ndërsa ministri Murati thotë se me këtë koeficient është rritur paga mesatare në sektorin publik.

Ministri i Financave Hekuran Murati, tha se deri te vlera e koeficientit prej 105 euro kanë ardhur duke bërë përllogaritjet nga ministria e punëve të Brendshme dhe organizatat buxhetore në vend.

Ai tha me këtë koeficient është rritur paga mesatare në sektorin publik nga 620 sa ka qenë në 730 euro.

Ai po ashtu tha se ata që kanë përvojë pune, koeficienti tek ata është më i larti.

“Mundëson kompletimin e ligjit të pagave. Vlera e koeficientit 105 euro deri të kjo vlerë është marr kufiri buxhetor që është vendosur nga ligji. Gjatë vitit 2022 kemi pasur rritje ekonomike. Buxheti është rrit me 105 milionë euro krahasuara me vitin paraprak. Kemi paraparë që për vitin 2024 koeficienti të rritet prej 110 euro. Shpresoj që të marr miratimin e komisionit. Në vitin 2022 paga mesatare ka qenë 620 euro, tash me këtë vlerë paga mesatare është 730 euro bruto, pra rritja është 110 euro”, tha ai.

Kritika për vlerën e koeficientit pati deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku. Tha se të punësuarve në sektorin publik u ka humbur shpresa.

“Ne e kemi kundërshtuar këtë vlerë nga fillimi dhe kemi kërkuar që të jetë një vlerë e dinjitetshme, një vlerë prej 130 eurove për vlerë të koeficientit. Pikërisht VV-ja e ka përhapur që do të jetë një vlerë prej 120 euro prej juve është shpërndarë kjo. Pagën neto e keni prezentar në pagën bruto dhe e keni paraqit këtë, pra kjo është mashtrim. Në të gjitha rastet pagën neto e keni paraqit në bruto kjo është mashtrim i radhës që fatkeqësisht e keni lënë këtë sektor në mëshirën e juaj”.

“Kemi zvogëlim tekë Universiteti. Ju po i mbështetni vetëm sektorin publik. Me siguri edhe keni marrëveshje me sektorin privat. Te policia keni larguar shujtat dhe keni venë para një rreziku policinë. Kuvendit ja keni ulur me 40 për qind pagat, a e keni bërë që të hakmerreni ndaj administratës së Kuvendit. Keni një çështje që dëmton edhe më shumë njerëzit që kanë provojë të punës. I keni zvogëluar shtesat së tepërmi, shtesat duhet që të jenë promovim për ata që punojnë më shumë. Ky ligj është më shumë mbështetës i udhëheqësve, kryeministrit ja keni rrit rrogën që deri vonë e ka kundërshtuar, është ligj që ja humb shpresën zyrtarëve publikë”, tha ai.

E ministri Murati, e demantoi Lushtakut për prezantim të vlerës së koeficientit. Tha se këtë nuk e ka bërë publike QEveria asnjëherë.  

Ai po ashtu tha se nuk është e vërtët se paga neto është paraqit në bruto, por sipas tij pag bruto është bruto dhe se siq tha ai “nuk mund të krahasohet molla me dardhë”, tha Murati.

“Nuk behët fjalë për drafte të qeverisë, nuk është e saktë që qeveria ka nxjerr përllogaritje ato i ka bërë mediat dhe shoqëria civile. Paga bruto është me pagën bruto, është krahasimi i vetëm që mund të bëhet, nuk mund të krahasohet molla me dardhë. Këtë e synon ligji i pagave, paga baze e mjekut specialistë është rritur, do të ketë edhe shtesa. Të gjitha këto që u thanë nuk qëndrojnë. Nuk mund te flasim për paga të pa dinjitetshm. Në sektorin privat paga ka qenë 490 euro”, tha Murati.

Pa u përmendur në këtë mbledhje nuk mbeti as ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishajt. Sipas Lushtakut, vlera e koeficientit është dhënë nga ambasadori Berishaj.

“Si ministër që e keni mashtruar bashkë edhe me kryeministrin. Ndoshta edhe Martini ju ka dhënë një koeficient që ju ndoshta nuk e dini”, tha ai.

Thirrje që ekzekutivi të merret me shumë me sektorin privat, kërkoi deputeti i mazhorancës, Visar Korenica.

Sipas tij, punëtorët e sektorit privat janë ata që janë duke emigruar më shumë nga vendi.

“Ka 10 vite që po e presim ligjin për paga. Shqetësimi im kryesor është sektori privat. Është një lloj stabiliteti për një vend punë në sektorin publik 200-300 vetë. Në sektorin privat po shohim që dëshirojnë që të largohen nga vendi i punës për shkaqe të ndryshme. Unë kisha dashur që pas këtij ligji fuqishëm të angazhohemi karshi sektorit privat. Njerëzit që kërkojnë viza punë janë kryesisht nga sektori privat. Kërkesa ime është që drejtpërdrejtë të krijojmë kushte të tilla që të ketë kërkesa dhe jo largime. Një punëtor i sektorit publikë siguron 10 paga të një punëtori të sektorit privat”, tha ai.

Angazhim për këtë premtoi ministri Murati. Ai edhe njëherë bëri thirrje sektorit privat që t’u rrisin pagat punëtorëve të tyre.

“Është e vërtet kjo që thatë, duhet që të gjejmë balancën. Ideja është që të rritet paga minimale. Ju bëjë thirrje bizneseve që të ju rrisin pagat e punëtorëve. Jemi Qeveria e vetme që numri i të punësuarave në Telekom është zvogëluar. Rezultatet marrin kohë deri sa të vërehen”, tha Murati.

Ndërsa deputeti Lushtaku e akuzoi Qeverinë për nepotizëm. Ai përmendi rastin e fundit, përzgjedhjen e Rilind Gërvallës në krye të RTK-së, i cili konsiderohet si ish-anëtarë i VV-së.

Deputeti Lushtaku tha se qeveria Kurti e ka kapur edhe Radio Televizionin e Prishtinës.

“RTK-në e keni kapë, i keni kapur bordet. Familjarët e juaj i keni punësuar. I keni harruar parimet e juaja ose nuk keni pasur as një herë parime, e keni pasur vetëm për karrigë”, tha Lushtaku.

Në fund, me 6 vota për as një kundër dhe as një abstenim është miratuar Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore.

Të ngjashme