Mustafa: Nga nesër fillojmë përgatitjet për zgjedhje të reja

Prishtinë | 23 Nën 2018 | 18:14 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur konferencë për media, pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm, gjatë së cilës kryetari i saj, Isa Mustafa ka treguar temat që janë diskutuar në këtë mbledhje.

Mustafa bëri të ditur se Këshilli ka konstatuar se institucionet e dala nga zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017 nuk po e bëjnë punën në interes të vendit.

Sipas tij, Kuvendi është bërë jofunksional, raporton Ekonomia Online.

“Diskutuam përgatitjen për zgjedhje qendrore dhe platformën e LDK-së lidhur me këto zgjedhje dhe definuam qëndrimet tona sa i përket dialogut me Serbinë dhe biseduam për rezultatet e deritanishme të të bërit opozitë në kuvendin e Kosovës dhe në komuna”.

Mustafa bëri të ditur se LDK-ja do të fillojë përgatitjet për zgjedhje të reja.

“Që nga dita e nesërme do të hyjmë në procesin e aktivitetit me anëtarësinë e LDK-së dhe me qytetarët për zgjedhje të reja dhe për përgatitje për zgjedhje të reja. Ne do t’u bëjmë ofertë qytetarëve të Republikës së Kosovës për qeverisje të mirë, për zhvillim ekonomik të vendit, për forcim të shtetit ligjor dhe për dashje të Kosovës sepse ne dëshirojmë ta zhvillojmë te qytetarët e Republikës së Kosovës ndjenjën e përkatësisë ndaj shtetit të Kosovës”.

“Në këshill u konstatua se LDK-ja vlerëson se institucionet e dala nga zgjedhjet e pëgjithshme të vitit 2017 nuk po e bëjnë punën në interes të vendit. Kuvendi i Republikës së Kosovës është bërë jofunksional. Kuvendi dhe qeveria po funksionojnë në baza të klientelizmit partiak”.

Mustafa tha se qeveria po merr vendime skandaloze, të kundërligjshme dhe jokushtetuese.

“Në një qeveri ku çdo i treti i ministrit është me aktakuzë nuk siguron se Kosova e ka seriozisht ta luftojë krimin dhe korrupsionin.  Qeveria po merr vendime skandaloze, të kundërligjshme dhe jokushtetuese. Qeveria ka ngecur në zbatimin e marrëveshjes së stabilizim asociimit dhe rrezikon sipas fondit monetar edhe stabilitetin buxhetor dhe makroekonomik të vendit”.

“Kjo qeveri nuk ka arritur të liberalizojë vizat dhe ka shkaktuar që për shkak të sjelljeve të saj qytetarët të mbesin të izoluar”.

Lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, Mustafa tha se përgjegjës për veprimet e dëmshme ndaj Kosovës përgjegjës janë qeveria, presidenti dhe kryeministri.

“Sa i përket dialogut, u tha se qeveria e tanishme e kanë pasur të drejtën e dialogimit pa mandat të Kuvendit të Kosovës. Konsiderojmë se edhe kryeministri, edhe qeveria së bashku me presidentin e vendit janë përgjegjës të plotë për veprimet e dëmshme që janë bërë Kosovës me hapjen e çështjes së ndryshimit apo korrigjimit të kufijve, shkëmbimit të territorit e që kanë shkaktuar të ndalen njohjet për Kosovën dhe po ashtu të rritet propaganda serbe për çnjohje të Republikës së Kosovës”.

“LDK-ja angazhohet për legjitimitet para dialogut që dialogu të zhvillohet nga një qeveri që përfaqëson unitetin e gjerë politik të vendit tonë në bashkëpunim dhe respektim të plotë të Kuvendit të Kosovës dhe të rolit të presidentit që e ka të caktuar me kushtetutë”.

Të ngjashme