Bizneset s’pranojnë ashpërsimin e masave, nuk përjashtohen protestat

Prishtinë | 12 Jan 2022 | 14:52 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ashpërsimin e masave si pasojë e rritjes së rasteve me Covid-19 në Kosovë nuk po e mirëpresin nga Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës.

Abdullah Murati, drejtor në departamentin për certifikim dhe licencim të njësive akomoduese pranë kësaj ode i tha Ekonomia Online se janë të vetëdijshëm që shëndeti publik është primarë, por që krahas kësaj ai konsideron të rëndësishëm edhe shëndetin ekonomik.

“Jemi të brengosur që dita ditës ne në fakt po sëmuremi ekonomikisht duke e pasur parasysh, krejt si pasojë e masave të deritashme nga Ministria e Shëndetësisë mirëpo fatkeqësisht tani po paralajmërohen masa shtesë për të cilat absolutisht nuk pajtohemi dhe besojmë që do të merret në konsultë me Odën Hotelerisë Turizmit të Kosovës”.

Murati tha se bizneset do të zbatojnë në tërësi rekomandimet e IKShPK-së duke përfshirë dëshmin e vaksinimit, distancën sociale, por jo edhe masa të tjera që mund ta pengonin punën e tyre.  

“Ne si  Odë e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës jemi të shqetësuar tej mase sepse është duke u varfëruar në masë të madhe sektori edhe popullata. Duke e pasur parasysh që në sektorin e Hotelerisë dhe Turizmit ka një masë shumë të madhe të punësuarve, të cilët tash e një kohë të gjatë veç e kanë humb vendin e punës dhe si pasojë e kësaj shumë nga ta kanë marrë rrugën e mërgimi e disa prej tyre kanë ndërruar edhe profesionet”.

Nëse veç do të ketë ashpërsim të masave, Murati tha se në bashkëpunim me odat tjera dhe Shoqatën e Gatronomëve do të marrin vendosin nëse do të ketë protestë apo ndonjë vendim tjetër, raporton EO.

“Ne ditëve në vijim mendojmë që të marrim një ftesë të takohemi dhe bashkërisht të marrim edhe vendime në raport me situatën”.

Përderisa Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik përmes një njoftimi ka kërkuar nga qytetarët që të respektojnë masat anti-Covid dhe të vaksinohen në mënyrë që të mbrohen nga ky virus.

Nga IKShPK kanë thënë se me shfaqjen e variantit Omicron në vend, është duke u rritur numri i rasteve të reja me Covid-19.

Të ngjashme