Kosova e dyta në Ballkan për lirimin e gazrave të dioksidit të karbonit

Prishtinë | 27 Sht 2018 | 10:21 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Balkan Green Foundation (BGF), në kuadër të Konsorciumit Kosovar të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID), në bashkëpunim me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, përgjatë “Javës së Diplomacisë Klimatike 2018”, ka organizuar tryezën e rrumbullakët me temën “A është Kosova e gatshme për të trajtuar ndryshimet klimatike?”

Tryeza synon të adresoj politikat e Kosovës në raport me ndryshimin e klimës, planet e veprimit dhe masat e marra deri tani, si dhe të ndihmojë në të kuptuarit e mundësive dhe pengesave kyçe për të parandaluar degradimin e mëtejshëm të mjedisit.

Visar Azemi, nga BGF/KOSID, ka thënë se toka po përballet me një situatë të vështirë të ndryshimeve klimatike, me rrezikun se do të mbetet i pabanueshëm.

“Ne jemi duke u përballë me një realitet të ri që kemi fillu të merremi më seriozisht që ka të bëjë me ndryshimet klimatike. Në Kosovë jemi marrë edhe me legjislacion, mirëpo nuk ka filluar të ndërmerret asgjë me të”.

“Sipas ekspertëve nëse trendi eksploatimit të lëndëve fosile do vazhdojë, planeti ynë mund të bëhet i pabanueshëm deri më fund të shekullit. Do fillojë një migrim ku njerëzit do largohen nga vendi i tyre si pasojë e temperaturave të larta dhe ngritjes së nivelit të ujit”.

“Kosova në rajonin e Ballkanit Perëndimor renditet e dyta për lirimin e gazrave të dioksidit të karbonit. Por ka edhe gazra të tjerë që nuk filtrohen dhe nuk përpunohen”.

Ivana Mijatovic Cernos, nga Komisioni Evropian, ka përmendur Marrëveshjen e Parisit  dhe veprimet që janë ndërmarrë dhe ajo çka duhet të ndërmerret në këtë aspekt.

“Kjo është marrëveshje ambicioze por edhe e detyrueshme. Këtu përfshihet çështja e transparencës dhe llogaridhënies, për të cilën po punojmë shumë sepse këto do jenë në gjendje të na tregojnë sa është punuar, sa ka pasur përparim”.

Ajo ka thënë se po përpiqen të negociojnë në planin e programit të Parisit,  si dhe ka njoftuar se bashkë me Komisionin e Energjisë do të diskutojnë për të arriturat në fushën e tyre.

“Njoftoj se Komisioni Evropian dhe ai i Energjisë në kuadër të projektit ‘Zbatimi i Marrëveshjes së Parisit’, do organizojmë takim në Talanoe dhe përfaqësuesit e energjisë dhe mjedisit janë të ftuar. Ideja është të flasim për përgatitjen, për atë se çka ka bërë komuniteti i energjisë”.

“Për të bërë më shumë duhet të ulim emetimin. Kemi caktuar politika të reja klimatike. Ku kemi caktuar të zvogëlohet emetimi për 40%, që janë caktuar për vitin 2030”.

“Shtetet anëtare duhet të dalin me draft këtë vit për atë se çka duhet të përmirësohet…”

Ndërsa ka thënë se Kosova ende nuk është anëtare dhe pjesëmarrëse e kësaj marrëveshje, por që sipas saj duhet të fillojë zbatimin sa më shpejtë.

“Është obligim i juaj që të filloni të implementoni këtë marrëveshje sepse ka arsye të mira ekonomike pse duhet të filloni të punoni për shkak të mundësive të investime që ofron ajo”.

Gjithashtu, KOSID, në kuadër të “Javës së Diplomacisë Klimatike 2018 në Kosovë, do të organizojë shfaqjen e dokumentarit “Point of no return,” në tre Komunat në Kosovë.

Ilir Muçaj, nga Ministria e Integrimit Evropian, thotë se Kosova e ka obligim të përafrojë legjislacionin me standardin e BE-së edhe rreth çështjeve të klimës.

“Kosova ka obligime që të përafrojë legjislacionin me standardin e BE. Në kontekst të zbatimit të MSA është dokumenti strategjik i Qeverisë për marrjen e obligimeve nga kjo marrëveshje,” është shprehur Muçaj.

Rinora Gojani, nga BGF/KOSID, thotë se institucionet e Kosovës nuk po arrijnë të zbatojnë legjislacionin aktual në këtë fushë.

“Vendet e Ballkanit Perëndimor janë vendet ku ka patur më së tepërmi rritje të temperaturave, dhe Prizreni ka pasë ngritje prej 1.4 në krahasim të dy shekujve. Këtë e bënë vonesa në zbatimin e rregulloreve të BE. Por, ku jem me transpozim,” deklaron Gojani.

Avni Sfishta, nga GIZ, shprehë pakënaqësi në zbatimin e obligimeve të marra nga Procesi i Berlinit.

“Zbraztësi është edhe vetë marrëveshja dhe obligimet e marra nga ËB6, është një listë e tanë edhe nuk po fillon zbatimi,” shprehet Sfishta.

Të ngjashme