Nagavci thotë se mbajtja e seancës është absurde: Mocioni pret, virusi vret

Prishtinë | 24 Mar 2020 | 19:09 | Nga Ekonomia Online

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, nga VV, e ka cilësuar absurde këmbënguljen për thirrjen e seancës për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.

Nagavci, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se i bën “thirrje PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Nismës (PLAN po i bie) të mos tregohen të papërgjegjshëm”.

Postimi i plotë i Nagavcit:

“Absurde, dhe shumë shqetësuese qysh në mes të krizës shëndetësore po këmbëngulin për mbledhje të Kuvendit. Sikur aty vetëm një deputet të jetë i infektuar, rrezikojmë të infektohemi të gjithë. E pastaj infeksioni do të përhapej, sepse deputetët vijnë nga të gjitha komunat.

I bëj thirrje PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Nismës (PLAN po i bie) të mos tregohen të papërgjegjshëm.

Mos e vini në rrezik Kosovën midis situatës së pandemisë globale.

Mocioni pret, a virusi vret…”, ka shkruar Nagavci.

Kuvendi i Kosovës ka vendosur që nesër në ora 11:00, ta mbajë seancën për mocionin e votëbesimit ndaj Qeverisë Kurti.

Të ngjashme