Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) në takimin e 373-të ka emëruar gjyqtarin Naim Rekaliu mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Mitrovicë- Dega në Vushtrri.
Mandati i tij pritet të zgjasë 5 vite, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Për pozitën e gjyqtarit mbikëqyrës në Vushtrri, ka aplikuar vetëm gjyqtari Rekaliu, siç tha anëtari i KGJK-së, Artan Abazi.
Ai tha se Rekaliu plotëson kushtet për rekrutim dhe se pas intervistimit i propozoi Këshillit për votim dhe emërim.
Në procesin e votimit, gjyqtari Rekaliu mori 11 vota.
Biografia e gjyqtarit Rekaliu sipas njoftimit të Gjykatës:
Naim Rekaliu është gjyqtar në Gjykatën Themelore në Mitrovicë-Dega në Vushtrri, dhe gjykon në fushën penale. Pas përfundimit të studimeve universitare në Fakultetin Juridik, pranë Universitetit të Prishtinës, përvoja e tij e punës përfshin emërime në detyra të ndryshme, si: praktikantë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, jurist në kompani private në Prishtinë, zyrtar ligjor me projektin gjerman “GIZ”, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, e më pas si bashkëpunëtor profesional në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit të Kosovës. Është emëruar si gjyqtar me 18 janar 2021.