Napoli është i gatshëm t’ia ofrojë një kontratë të re Piotr Zielinskit deri më 2023, me një rritje të konsiderueshme të pagës.
Mesfushori polak ka qenë njëri ndër më të dalluarit në ndeshjen e së shtunës mes Napolit dhe Milanit, duke shënuar dy herë në përmbysjen e rezultatit nga 2-0 në 3-2, kështu duke i ndihmuar klubit që ta sigurojë fitoren e dytë radhazi në Serie A, transmeton Gazeta Express.
Për lojtarin ka pasur interesime gjatë kësaj vere, mirëpo askush nuk ka pranuar që t’i paguajë 65 milionë euro për të.
Trajneri i klubit italian Carlo Ancelotti, e ka bërë të qartë se lojtari është e ardhmja e mesfushës së Napolitanëve.
Paga e 24-vjeçarit do të rritet dhe po ashtu pritet të rritet çmimi i klauzolës së tij, në mënyrë që ta mbajë mesfushorin në “Sao Paolo” sa më gjatë.