“Ndaleni luftën, mbrojeni Ukrainën” – Kosovarët protestojnë para Zyrës Ndërlidhëse të Rusisë

Prishtinë | 25 Shk 2022 | 13:48 | Nga Lindita Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Një grup qytetarësh kanë protestuar të premten para Zyrës Ndërlidhëse të Rusisë në Prishtinë, për ta kundërshtuar pushtimin e Ukrainës, raporton Ekonomia Online.

“Ndaleni luftën, mbrojeni Ukrainën”, “Paqja është më e lirë”, ishin disa prej mesazheve që mbanin në duart protestuesit.

Marigona Shabiu nga Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR), tha se populli i Kosovës e bashkëndjen këtë situatë, pasi edhe vetë e ka përjetuar një situatë të tillë para dy dekadave.

“Duke qenë se në Kosovë kemi përjetuar efektet shkatërrimtare të luftës, pasojat e së cilës vazhdojmë t’i vuajmë edhe sot, si shoqëri dhe si shtet duhet të dënojmë fuqishëm pushtimin e Ukrainës nga Rusia, dhe në të njëjtën kohë të bashkë-ndjejmë me njerëzit në Ukrainë për vuajtjet e tyre në këtë kohë shumë të vështirë. Përmes kësaj proteste, ne i bëjmë thirrje Rusisë që të ndërpresë menjëherë të gjitha sulmet dhe të tërheqë trupat e saj nga territori i Ukrainës”.

“Ne gjithashtu u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve ndërkombëtarë, organizatave të shoqërisë civile, organizatave paqeruajtëse dhe të gjitha vendeve demokratike që të angazhohen për paqe dhe stabilitet ne Ukrainë dhe kudo në botë. Të qëndrojmë në solidaritet me popullin ukrainas dhe të ofrojmë mbështetjen tonë për të përballuar këtë situatë”, tha ajo.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka vendosur të premte sanksione ndaj Rusisë, si përgjigje për pushtimin në Ukrainë.

Të ngjashme