Një i ri nga Kosova është ndaluar sot nga autoritetet serbe në pikën kufitare Horgosh, në kufirin mes Hungarisë dhe Serbisë, derisa po udhëtonte nga Gjermania drejt Kosovës.
Lajmin e ka bërë të ditur avokati Arianit Koci përmes një postimi në facebook, ku ka thënë se informacionin e ka marrë nga një burim, identitetin e të cilit e ka konfirmuar.
Sipas Kocit, i riu, i lindur në vitin 1997, ende ndodhet në ambientet e policisë në pikën kufitare, ndërsa deri më tani nuk ka informacione të konfirmuara lidhur me statusin e tij procedural.
Ai ka bërë të ditur se gjatë kontrollit të automjetit, policia serbe ka gjetur një emblemë të UÇK-së nën ulëse, ndërsa sipas burimit të tij, i riu nuk ka qenë në dijeni se ajo ndodhej aty.
Në automjet janë gjetur gjithashtu edhe disa monedha të argjendta.
Koci ka shtuar se, sipas informacioneve që posedon deri më tani, sjellja e policisë serbe ndaj të riut ka qenë korrekte.