Gjykatësi Kushtrim Shyti pritet që të trajtojë rastin ku për sulm ndaj Kuvendit të Republikës së Kosovës në gusht 2016, po akuzohen Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Egzon Haliti dhe Atdhe Arifi.
Në këtë proces gjyqësor i cili ishte kthyer në rigjykim, katër të akuzuarit ngarkohen se janë përgjegjës për sulmin në Kuvendin e Kosovës në gushtin e vitit 2016, që është kualifikuar si vepër terroriste.
Këtë rast fillimisht e kishte gjykuar gjykatësi Beqir Kalludra, por pas avancimit të tij në Gjykatën e Apelit me vendimin e 21 dhjetorit 2020, të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), lënda ka kaluar tek gjykatësi Kushtrim Shyti.
I njëjti për “Betimi për Drejtësi” ka thënë se seancën në këtë rast nuk e ka caktuar ende.
Pas kthimit të këtij rasti në rigjykim, seanca e parë e rigjykimit ishte caktuar të mbahej me 4 mars 2020, në të cilën seancë ish-mbrojtësi i të akuzuarit Frashër Krasniqi, avokati Tomë Gashi, kishte kërkuar përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Beqir Kalludra, mirëpo kjo kërkesë ishte refuzuar.
Ndërsa me 3 shtator 2020, katër të akuzuarit sërish ishin deklaruar të pafajshëm.
Ndryshe, Trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Beqir Kalludra, më 27 nëntor të vitit 2017, kishte shpallur fajtorë katër të akuzuarit, duke i dënuar me 21 vjet e gjashtë muaj burgim.
Ish-deputeti Frashër Krasniqi ishte dënuar me 8 vjet burgim, Atdhe Arifi ishte dënuar me 6 vjet burgim, Egzon Haliti me 5 vjet e gjysmë si dhe Adea Batusha me 2 vjet heqje lirie.
Pas ankesave në Gjykatën e Apelit, kolegji i instancës së dytë gjyqësore, kishte vlerësuar se aktgjykimi i shkallës së parë është bërë me shkelje ligjore dhe e kishte anuluar të njëjtin dhe në këtë mënyrë, lëndën e kishte kthyer në rigjykim.
Për rastin e aktivistëve të dënuar të VV-së, më 9 shkurt 2018, ishte diskutuar edhe në Kuvendin e Kosovës, në fund të së cilës seancë, Kuvendi kishte miratuar disa rekomandime ku kërkohej që për rastin e sulmit në ndërtesën e Kuvendit, të kërkohet dhe të mundësohet një hetim i plotë, i pavarur ndërkombëtar i tërë rastit, nga ndonjëri nga vendet perëndimore të BE, përfshirë vendet neutrale të Evropës Perëndimore dhe Zvicrën
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në dhjetor të vitit 2016, kishte ngritur aktakuzë kundër, Frashër Krasniqit, Atdhe Arifit, Egzon Halitit dhe Adea Batushës, të cilët i akuzon për kryerjen e veprës penale të terrorizmit.
Ndaj katër aktivistëve të Vetëvendosjes, PSRK-ja ka ngritur aktakuzë, katër muaj pasi të njëjtit, bashkë më të ndjerin Astrit Dehari, u arrestuan si të dyshuar për sulmin e 4 gushtit të po atij viti, ndaj objektit të Kuvendi të Kosovës, por, që Dehari kishte vdekur në nëntor të vitit 2016 në qelinë e tij në qendrën e paraburgimit në Prizren.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të pandehurit kanë vepruar si grup i organizuar “me qëllim që të shkaktojnë frikësimin serioz të popullsisë dhe shkaktimin e ndjenjës se pasigurisë për qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës”.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit duke pasur për qëllim, që Kuvendi i Kosovës të detyrohet të mos ratifikojë marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi dhe me këtë rast, të shkaktojë frikësim serioz të popullsisë dhe shkaktimin e ndjenjës së pasigurisë tek qytetarët e Kosovës, më datë 4 gusht 2016, rreth orës 23 e 05 nga parkingu përball Kuvendit të Kosovës me raketahedhës dore kanë kryer sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës.