Policia Rajonale e Ferizajt ka ndëshkuar pesë shoferë që kryen kundërvajtje të rënda në trafik, duke tejkaluar kolonën e automjeteve përmes shiritit emergjent në dalje të autostradës, në fshatin Bibaj.
Ndëshkimi i pesë shoferëve ka ndodhur të premtën gjatë kontrolleve të Njësisë së Komunikacionit Rrugor. Sipas policisë, katër shoferëve me patentë shoferi të Kosovës u është shqiptuar gjobë prej 300 eurosh, janë penalizuar me 3 pikë negative dhe u është hequr leja e drejtimit për një periudhë prej një viti.
Ndërkaq, shoferi me patentë shoferi të huaj është gjobitur me 300 euro dhe i është ndaluar drejtimi i automjetit për një vit në territorin e Republikës së Kosovës.
Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur se kontrollet në trafik do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me synim rritjen e sigurisë rrugore dhe zbatimin e ligjit.
Gjithashtu, qytetarët ftohen të raportojnë çdo shkelje apo rrezik në trafik përmes numrit emergjent 192, numrave rajonalë të policisë ose aplikacionit “Lajmëro Policinë”, duke garantuar se çdo informacion do të trajtohet me konfidencialitet të plotë.