Në Akademinë Ndërkombëtare Verore që po mbahet në UBT, po marrin pjesë shumë ligjërues nga vendi dhe më gjerë, të cilët po trajtojnë tema nga fusha të ndryshme.
Në këtë drejtim, shumë pjesëmarrës nga gjitha universitetet dhe kolegjet private po ndjekin leksionet në Fakultetin Juridik të UBT-së, teksa sot ka ligjëruar profesori në UBT njëherësh zëvendësministri në Ministrinë e Mbrojtjes në Maqedoni, Bekim Maksuti, i cili ka trajtuar temën: “Krimet Kibernetike, E-Terrorizmi dhe Hakimi”.
Maksuti ka folur për sigurinë e të dhënave, sfidat dhe zgjidhjet e problemeve të sigurisë kibernetike, për reduktimin e akteve terroriste përmes përgjimeve të ligjshme, për ndërgjegjësimin mbi sigurinë, për privatësinë dhe të drejtat e mediave etj.
Gjatë aktiviteteve të kësaj akademie ka ligjëruar profesoresha në Fakultetin Juridik të UBT-së, Jorida Xhafaj, ku ka trajtuar temën: “Krimet kompjuterike: Dilema e privatësisë dhe siguria e sigurisë”.
Ligjërata ka filluar me një film të shkurtër mbi garantimin e sigurisë së informacionit dhe se si kjo nevojë cenon jetën private të shoqërisë digjitale.
Profesoresha Xhafaj, ka paraqitur faktorët që ndikojnë në rritjen e kontrollit shtetëror në këtë fushë, sipas të cilës, në këtë drejtim rol të rëndësishëm luan Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Fakulteti Juridik në UBT, nesër do të përmbyllë punimet e Akademisë Ndërkombëtare Verore, që paraprakisht, do të organizohen vizita nëpër gjykatat e komunës së Prishtinës.
Pjesëmarrësit në fund do të pajisen edhe me certifikata.