Në Kosovë ishte futur grurë me vlerë 270 euro toni, ndërsa rezervat shtetërore kushtuan 540 euro toni

Prishtinë | 25 Gus 2023 | 14:05 | Nga Ekonomia Online

Afera e keqpërdorimit të rezervave shtetërore po merr përmasa të reja.

Hetimet që i kanë filluar organet e drejtësisë për këtë çështje po konfirmojnë raportimet e gazetës Nacionale për abuzimet që janë bërë me furnizimin e rezervës shtetërore me grurë dhe vaj.

Një burim nga hetuesia i kanë thënë gazetës Nacionale se çmimi më të cilin Qeveria e Kosovës e ka blerë grurin në vitin e kaluar ka qenë shumë më lartë se çmimi i tregut që ka ekzistuar në vitin 2022.

Sipas këtij burimi, në mars të vitit të kaluar Qeveria e Kosovë tonin e grurit e ka blerë me 540 euro, kurse kompanitë private tonin e grurit e kanë blerë me 270 euro.

“Në mars të vitit të kaluar, grurin për rezervat shtetërore Qeveria e Kosovës e ka blerë me çmim prej 540 euro tonin. Ndërsa, në atë kohë, në Kosovë gruri ka hyr me çmim prej 270 euro toni”, ka thënë burimi i gazetën Nacionale.

Në këtë mënyrë, Qeveria e ka paguar tonin e grurit 50 për qind më shtrenjtë sesa ka kushtuar në treg.

Shprehur në shifra i bije se Qeveria tonin e grurit e ka blerë 270 euro më shtrenjtë se kompanitë private.

Dyshimet ndaj të arrestuarve
Javën e kaluar organet e rendit dhe të drejtësisë kanë ndërmarr një aksion bastisje në MINT dhe disa lokacione tjera, i cili ka përfunduar me disa të arrestuar.

Nën dyshimin se kanë bërë keqpërdorime gjatë blerjeve të rezervave shtetërore, Policia e Kosovës të premten e kaluar ka arrestuarit dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, dhe biznesmenin Ridvan Muharremi, i cili është një mik i ngushtë i kryeministrit Albin Kurti.

Zyrtarët e arrestuar të MINT-it janë drejtori Divizionit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, Hafiz Gara, dhe drejtori i Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, Irfan Lipovica.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka treguar arsyet e arrestimit të tyre.

“Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Policia e Kosovës – Njësia e Veçantë e Hetimeve, ka realizuar sot bastisje në lokacione të ndryshme në Prishtinë, ku kanë arrestuar tre (3) persona me inicialet R.M. H.G dhe I.L. Prokuroria Speciale njofton opinionin publik se tre personat e arrestuar, R.M. H.G dhe I.L. dyshohen për veprat ‘Keqpërdorim i detyrës zyrtare’, si dhe ‘Dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare’.”, është thënë në njoftimin e prokurorisë.

Në njoftim është thënë se gjatë bastisjes janë siguruar dhe sekuestruar prova materiale të cilat do të përdoren për procedurë të mëtutjeshme hetimore.

Dosja e prokurorisë
Mediat tashmë kanë publikuar edhe pjesë të dosjes së prokurorisë, ku specifikohen keqpërdorimet që janë bërë nga zyrtarët e arrestuar.

Në dosjen e publikuar nga “Betimit për Drejtësi” thuhet se 52.5 tonë grurë, 200 mijë litra vaj dhe 120 mijë kg sheqer në vlerë mbi 600 mijë euro nuk kishin ardhur kurrë në Kosovë.

Sipas dosje, pavarësisht se janë paguar paratë te kompanitë turke e polake për furnizimin me grurë, vaj e sheqer, ato nuk kanë arritur në Kosovë.

Në dosjen, po ashtu, flitet për biznesmeni Ridvan Muharremi, pronarin e restorantit “Bukë e Zemër”.

Aty thuhet se ai ishte personi kryesor që i kishte zhvilluar negociatat me operatorët ekonomikë për blerjen e grurit, vajit e sheqerit.

Muajin e kaluar, gazeta Nacionale ka publikuar një përgjim ku flitej për keqpërdorim të rezervave shtetërore.

Në audio-incizim dy zyrtarë të kësaj ministrie flisnin për këtë aferë.

Ata e përmendnin edhe Ridvan Muharremin, mikun e kryeministrit Albin Kurti, të cilit në një moment i referohen edhe si “dallaverxhi”.

Për të tre të arrestuarit gjykata ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Të ngjashme