Nënat ukrainase presin trupat e djemve që t’i varrosin

Prishtinë | 16 Pri 2022 | 13:53 | Nga Ekonomia Online

Ky nuk është vendi ku Nadiya Trubchaninova mendonte se do ta gjente veten në moshën 70 vjeç, duke dalë në rrugë çdo ditë për të ndalur ndonjë makinë rasti nga fshati i saj për në qytetin e shkatërruar të Buchas, në përpjekje për ta sjellë trupin e djalit të saj në shtëpi për ta varrosur, shkroi AP të premten.

Pse kishte shkuar Vadymi në Bucha, ku rusët ishin shumë më të ashpër se ata që e sulmuan fshatin e saj? Kush e qëlloi atë derisa ai po kalonte rrugën Yablunska, ku aq shumë trupa u gjetën? Dhe pse e humbi djalin e saj ajo vetëm një ditë para se rusët të tërhiqeshin?

Tani 48-vjeçari Vadym është në një qese të zezë në një kamion. Pasi fjalët arritën tek ajo se ai ishte gjetur dhe varrosur nga të huaj në një oborr në Bucha, ajo kaloi më shumë se një javë duke u përpjekur ta sillte në shtëpi në një varr të duhur. Por, ai është një trup në mesin e qindrave, pjesë e një hetimi për krime lufte që ka marrë vëmendje botërore.

Trubchaninova është në mesin e shumë të moshuarve që kanë mbetur pas ose që kanë zgjedhur të qëndrojnë teksa miliona ukrainas kanë ikur përtej kufijve ose në pjesë të tjera të vendit.

Disa, si Trubchaninova, mbijetuan më të keqen e luftës vetëm për të kuptuar se ajo ka marrë fëmijët e tyre.

Ajo e pa së fundmi të birin më 30 mars. Mendoi se ai po bënte një shëtitje si pjesë e rikuperimit të gjatë pas një sulmi në tru.

“Do të ishte çmenduri të shkoje më larg”, tha ajo.

Ajo pyet nëse Vadymi mendoi se rusët në Bucha ishin si ata që sulmuan fshatin, të cilët thanë se nuk do të lëndoheshin nëse nuk do të luftonin.

Mbi një javë më pas, ajo zbuloi varrin e improvizuar të tij me ndihmën e një të panjohuri me të njëjtin emër dhe të njëjtën moshë si djali i saj. Një ditë më pas, ajo pa qesen ku ishte Vadymi në një varrezë në Bucha. Ai ishte i gjatë dhe këmba i kishte dalë nga një vrimë në qoshe. Në ankth për të mos e humbur, ajo gjeti një shall dhe e lidhi për të. E shënjoi me të.

Ajo beson se tani e di se ku është trupi i djalit të saj, në një kamion jashtë morgut të Buchas. Ajo mezi pret ta gjejë një polic që ta shpejtojë procesin e hetimit të djalit të saj dhe dhënien e dokumenteve të nevojshme për ta liruar nga aty.

Sapo ta marrë trupin e tij, asaj do t’i duhet një arkivol. Arkivoli kushton sa pensioni i saj i një muaji, ose rreth 90 dollarë. Ajo, si të moshuarit e tjerë ukrainas, nuk e ka marrë pensionin që prej fillimit të luftës. Ajo fiton para nga perimet që mbjell vetë, por patatet që planifikoi t’i mbillte në mars u prishën derisa po fshihej në shtëpi.

Djali tjetër i saj, dy vjet më i vogël se Vadymi, është i papunë. Asgjë nuk është e lehtë.

“Do të ikja nga ky vend sepse ndjej se është shumë vështirë të qëndroj këtu”, tha Trubchaninova.

“Ndjehem shumë e humbur brenda vetes. Nuk di as si ta shpjegoj sa e humbur jam. Nuk jam as e sigurt se do ta vendos kokën në këtë jastëk sonte ose nëse do të zgjohem nesër”.

Si shumë ukrainas të moshës së saj, ajo punoi pa pushim për veten, e vendosur t’i jepte fëmijëve edukim dhe një jetë më të mirë.

“Këto ishin planet e mija. Çfarë plane duhet të kem tani? Si të bëj plane të reja nëse një nga djemtë e mi është i shtrirë atje në Bucha?”

Varreza ku ajo dëshiron që ta varrosë djalin mund të shihet nga dhoma e vjetër e Vadymit.

Të enjten, ajo priti jashtë morgut të Buchas sërish. Edhe pas një ditë të gjatë pa përparim, ajo u ul në një stol në diell.

“Doja vetëm të ulesha në një mot të mirë. Do të shkoj në shtëpi. Nesër do të kthehem”, tha ajo.

Në qytet ishte lloji i mbylljes që Trubchaninova e dëshiron kaq shumë. Në një varrezë, dy gra 82-vjeçare u ngritën nga një stol ndërsa vetura e bardhë tashmë e njohur, mbërriti me një arkivol tjetër.

“Dhimbja më e madhe për një nënë është ta humbasë djalin e saj”, tha Neonyla, një prej grave. “Nuk ka fjalë ta përshkruaj”.

Ashtu si Trubchaninova, ato nuk ishin larguar. Kjo është toka jonë, thanë ato.

Të ngjashme