Nënshkruhet marrëveshja “IPA 2022” me vlerë 62 milionë euro

Prishtinë | 24 Mar 2023 | 09:27 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kosova dhe Bashkimi Evropian kanë nënshkruar marrëveshjen financiare për programin vjetor IPA 2022. Ky nënshkrim u bë nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, raporton Ekonomia Online.

Me këtë marrëveshje, shuma e përgjithshme e ndihmës së drejtpërdrejtë financiare e BE-së arrin në më shumë se 1.3 miliardë euro dhe rikonfirmon BE-në dhe shtetet anëtare të saj si ofruesit më të mëdhenj të ndihmës financiare për Kosovën.

Pas nënshkrimit, që të dytë, edhe Bislimi edhe Szunyog mbajtën fjalime, me ç’rast u bë e ditur se nga kjo marrëveshje Kosova do të përfitojë fonde prej 62 milionë eurosh.

Bislimi tha se fondet do të zbatohen në përkrahje për profesione të lira në Kosovë, mjedisin dhe energjinë e gjelbër, menaxhimin e mbeturinave, ujërat e zeza, zhvillimin socio ekonomik dhe përkrahje për kthimin e komuniteteve.

“Brenda një periudhe të shkurtër, kjo është marrëveshja e tretë më radhë që po e nënshkruajmë në kuadër të programeve IPA 3. Kanë kaluar vetëm gjashtë muaj nga shtatori i vitit të kaluar ku ka hyrë në fuqi marrëveshja kornizë për IPA 3 që i mundëson krijimin e kornizës së përgjithshme ligjore për zbatimin e fondeve IPA 3 në Kosovë dhe ne tashmë kemi arritur marrëveshjen financiare për tri vitet e para. Me nënshkrimin e marrëveshjes IPA 2022, Kosova po përfiton 62 milionë euro me të cilat do të zbatohen një sërë projektesh. Sikurse përkrahja për profesionet e lira në Kosovë, përkrahja për mjedisin dhe energjinë e gjelbërta, efiçienca e energjisë”, ka thënë ai.

Projektet do të bashkë financohen me 4.6 milionë euro nga Buxheti i Kosovës. Kjo marrëveshje mundëson projekte 91.3 milionë euro në përgjithësi. Ai tha se tani presin qe marrëveshja të procedohet sa më shpejt dhe të hyjë në fuqi.

E shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog u shpreh se BE-ja është ofruesi më i madh i asistencës asociale që synon zhvillimin ekonomik dhe të Gjelbër në Kosovës. Edhe ai pret që kjo marrëveshje të ratifikohet sa me shpejt në Kuvend.

Ai tha se marrëveshja me vlerë 62 milionë euro është pjesë e IPA 3 që mbulon periudhën 2021-2027, ndërsa shuma e përgjithshme e ndihmës së drejtpërdrejtë financiare e BE-së arrin në më shumë se 1.3 miliardë euro.

Kjo është marrëveshja e dytë e ndihmës financiare ndërmjet BE-së dhe Kosovës këtë vit; vetëm muajin e kaluar BE-ja i dhuroi Kosovës 75 milionë euro në kuadër të Pakos për Mbështetje Energjetike për Ballkanin Perëndimor me qëllim që të ndihmojë qytetarët dhe bizneset të përballen me çmimet e rritura të energjisë, të stimulojë kursimin e energjisë dhe të përmirësojë efiçiencën e energjisë.

“Financimi përmes Instrumentit të Ndihmës së Para-Anëtarësimit është një mjet i rëndësishëm i BE-së që ndihmon Kosovën të zhvillojë ekonominë e saj dhe të krijojë vende të reja pune si dhe të harmonizojë ligjet dhe standardet e saj me ato të BE-së, të gjitha këto me qëllim për të ndihmuar Kosovën të përparojë në rrugën e saj të integrimit në BE”, theksoi ambasadori Szunyog.

“Financimi IPA është dëshmi e qartë dhe e prekshme se BE-ja dëshiron që Kosova t’i përmbushë të gjitha standardet e nevojshme për t’u anëtarësuar në BE. Përdorimi i financimit të IPA-së është planifikuar me Qeverinë e Kosovës dhe synon fushat prioritare nga sundimi i ligjit, respektimi i të drejtave të njeriut dhe arsimi, deri te zhvillimi i infrastrukturës, mbrojtja e mjedisit, tranzicioni i energjisë së gjelbër, dhe lidhjet rrugore, hekurudhore dhe të TI-së”, shtoi ai.

Të ngjashme