Nënshkruhet memorandumi i bashkëpunimit në mes të ZKA-së dhe Autoritetit të Auditimit të Maqedonisë së Veriut

Prishtinë | 25 Maj 2021 | 17:42 | Nga Ekonomia Online

Në një ceremoni të rastit ku prezentë ishin Ambasadorja e Maqedonisë së Veriut në Kosovës, Shpresa Jusufi, Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Fatmir Bytyqi dhe Zëvendëskryeministrja Donika Gervalla, Zyra Kombëtare e Auditimit të Republikës së Kosovës dhe Autoriteti i Auditimit të Maqedonisë së Veriut kanë avancuar bashkëpunimin institucional me nënshkrimin e një Memorandumi të Mirëkuptimit/Bashkëpunimit.

Memorandumi i mirëkuptimi për bashkëpunim ndërmjet dy institucioneve i nënshkruar të martën në Prishtinë nga Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Besnik Osmani dhe Auditori i Përgjithshëm i Autoritetit të Auditimit të Maqedonisë së Veriut për auditimin e fondeve IPA, Adem Curi ka për qëllim forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve institucionale për auditim efektiv dhe efikas në fushën e auditimit të fondeve nga IPA.

Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, ka vlerësuar se ky Memorandum është mundësi e mirë që auditorët e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës të forcojnë njohuritë e tyre për specifikat e auditimeve të fondeve IPA. Përafrimi i Kosovës në procesin e integrimeve evropiane do të sjellë nevojën e zbatimit të këtyre auditimeve për të cilat aktualisht ne nuk kemi ndonjë përvojë të veçantë.

Edhe Auditori i Përgjithshëm i Autoritetit të Auditimit të Maqedonisë së Veriut për auditimin e fondeve IPA, Adem Curi, e ka vlerësuar të rëndësishëm nënshkrimin e këtij memorandumi, duke thënë se shkëmbimi i praktikave profesionale mundëson përmirësimin e kapaciteteve audituese të dy institucioneve.

Ky bashkëpunim parasheh shkëmbimin e përvojës në qasjen e audimit dhe metodologjinë e përdorur në pajtim me standardet e auditimit; shkëmbimin e përvojës dhe mësimet e nxjerra në fushën e auditimit; ofrimin e ndihmës dhe bashkëpunimit nga eksperti në fushën e auditimit; organizimin e hulumtimeve, takimeve, konferencave, trajnimeve, vizitave studimore, dhe praktikave profesionale për përmirësimin e kapaciteteve audituese te të dy institucioneve si dhe organizimin e vizitave të përbashkëta tek organet dhe institucionet profesionale në fushën e auditimit.

Zëvendëskryeministrja njëherësh Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se Qeveria mirëpret një bashkëpunim të tillë mes dy shteteve për forcimin e marrëdhënieve bilaterale.

“Memorandumit të Mirëkuptimit i cili do të nënshkruhet sot, i paraprijnë një sërë marrëveshjesh qoftë ndërinstitucionale apo ndërqeveritare në mes të Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Si Qeveri e re e mirëpresim një bashkëpunim të tillë mes dy shteteve për forcimin e marrëdhënieve bilaterale. Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë së Veriut ndajnë interesa të përbashkëta politike dhe ekonomike, për stabilitetin, qëndrueshmërinë dhe prosperitetin e rajonit tonë. Fuqizimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe fqinjësisë së mirë madje miqësisë së ndërsjellë është përkushtimi ynë”, ka thënë Gërvalla.
Edhe Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Fatmir Bytyqi e ka përshëndetur nënshkrimin e këtij memorandumi. “Nënshkrimi i memorandumit të sotëm dëshmon që bashkëpunimi ynë rajonal i bazuar në paradigmën e konkurueshmerisë rajonale kundrejt konkurrencës rajonale të vendeve të Ballkanit Perëndimor jetësohet edhe në praktikë, duke shkëmbyer përvojat ”, ka deklaruar Bytyqi.

Të ngjashme