Nënshkruhet memorandumi i bashkëpunimit për organizimin e Javës për Zhvillim të Qëndrueshëm në Kosovë

Prishtinë | 26 Pri 2019 | 17:23 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik, në bashkëpunim me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian në Kosovë / Zyrën e Bashkimit Evropian, Qeverinë Gjermane, dhe me dy organizatat e shoqërisë civile në Kosovë, Balkan Greeen Foundation (BGF) dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), është duke e organizuar Javën për Zhvillim të Qëndrueshëm të Kosovës e cila do të mbahet me 10-16 qershor, 2019. Kjo konferencë e nivelit të lartë organizohet për herë të dytë në Kosovë dhe ka për synim të trajtoj s­fidat kryesore të mjedisit në vend, siç janë: ndotja e mjedisit, trajtimi i mbeturinave, energjia, dhe shumë aktualitete të tjera që ndërlidhen me zhvillim të qëndrueshëm. 

Takimi i mbajtur sot në kabinetin e Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, shënoi nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit ne mes të partnereve të konferencës, i cili ri-theksoi bazën e shëndoshë të një partneriteti të sinqertë dhe afatgjatë. Partneriteti i themeluar në kuadër të organizimit të Javës për Zhvillim të Qëndrueshëm të Kosovës sjell një grup të ndryshëm vlerash, prioritetesh, dhe kompetencash në një platformë të përbashkët të cilat ndërlidhen ngushtë nga një vizion i përbashkët për fuqizimin e zhvillimit të qëndrueshëm në vend.

Konferenca do të veprojë si ombrellë për të mbledhur së bashku ekspertë kombëtarë e ndërkombëtarë dhe autoritete të ndryshme për të ligjëruar dhe për të ngritur ndërgjegjësimin mbi çështjet e rëndësishme.

Java e Zhvillimit të Qëndrueshëm në Kosovë organizohet ne linjë me iniciativën evropiane për të stimuluar dhe zhvilluar aktivitete, projekte dhe ngjarje që promovojnë zhvillimin e qëndrueshëm dhe Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG).

Të ngjashme