Nënshkruhet memorandumi për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit

Prishtinë | 23 Maj 2024 | 11:28 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Është nënshkruar memorandumi i mirëkuptimit për projektin e ri të Ambasadës Britanike, i cili ka për qëllim luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit, e po ashtu të ofrojë më shumë siguri për qytetarët e vendit, raporton Ekonomia Online.

Pjesëmarrës në ketë ceremoni ishin edhe ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Gazmend Hoxha, kryesuesi i Këshillit Prokurorial Ardian Hajdaraj, të cilët u zotuan se do të punojnë bashkë për zbatimin e këtij memorandumi.

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Ardian Hajdaraj derisa e ka vlerësuar të rëndësishëm këtë projekt, ka thënë se ky bashkëpunim do të forcojë kapacitetet për të hetuar veprat më komplekse.

“Po pajtohemi dhe po bashkëpunojmë në hartimin e aktit nënligjor me ekipe të përbashkëta hetimore multidisciplinare ekipe këto të cilat do të themelohen për të siguruar hetime më efikase të veprave penale komplekse të cilat janë në kompetencën e Prokurorisë Speciale duke përfshirë mbështetjen e departamentit të sapo formuar për inteligjencë dhe analizë. Duhet të shpreh falënderime për mbështetjen e  Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës së Veriut përfaqësuar nga ambasada britanike në Prishtinë për mbështetjen e  vazhdueshme në forcimin e kapaciteteve të sistemit prokurorial në përgjithësi e në veçanti prokurorisë speciale.  Në përpjekje të përbashkëta për të përmirësuar hetimet e krimeve brenda përbrenda prokurorisë speciale e po ashtu në ngritjen e kapaciteteve policore në fushën e hetimeve në ndjekjen penale të suksesshme të veprave penale të rëndësishme dhe penale”, ka thënë ai.

Ndërsa, ambasadori britanik Jonathan Hargreaves është shprehur i lumtur me arritjen e këtij bashkëpunimi. Me këtë, ai tha se do të luftohet edhe shperlarja e parave dhe korrupsionit, ndërsa është shprehur se do të punojnë qe Kosova të jetë një vend i qetë për gjithë qytetarët.

“Jam  i lumtur që u arrit ky bashkëpunim. Përmes kësaj marrëveshje do të luftohet edhe shpërlarja e parave dhe korrupsionit. Do të punojmë që Kosova të jetë një vend i qetë për gjithë qytetarët”, ka thënë ai.

Kryeprokurori i Shtetit, Besim Kelmendi po ashtu ka thënë se implementimi i këtij memorandumi do të jetë në interes për të mirën e të gjithë qytetarëve të vendit.

“Shpresoj dhe dua të besoj se implementimi i këtij memorandumi do të jetë me interes shumë të madh për sistemin prokurorial të Kosovës dhe për policinë e Kosovës dhe dua t’ju garantoj një mbështetje të plotë të zyrës së kryeprokurorit të shtetit për implementimin sa më të mirë të këtij memorandumi. Dhe për të pasur suksese të përbashkëta në luftimin e krimit të çfarëdo natyre qoftë, qoftë i brendshëm apo ndërkombëtar”, ka thënë Kelmendi.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka thënë se janë optimistë se objektivat e projektit do të arrihen me sukses.

“Fillimi i projektit për mbështetjen e krijimit të ekipeve të përbashkëta hetimore kundër financave të paligjshme dhe krimit të organizuar në Kosovë shënon vazhdimin e bashkëpunimit të dëshmuar në pritje reale për zhvillimin e mëtejmë të kapaciteteve tona që mundësojnë sundimin e ligjit. Ne jemi optimist se objektivat e projektit do të arrihen me sukses. Si rezultat i këtij bashkëpunimi kemi ngritje profesionale dhe kemi ndërtuar një praktikë më efikase bazuar në përvojat më të mira të ekspertëve britanikë”, ka thënë Isufaj.

Në anën tjetër, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha është zotuar që kjo marrëveshje do të zotohet në tërësi.

“ Ky memorandum ka për qëllim dy komponentë kryesore që është fuqizimi i kapaciteteve të policisë së Kosovës në fushën e inteligjencës dhe po ashtu edhe ndihmesën në krijimin dhe funksionalizimin e grupeve të përbashkëta hetimore vendore dhe ndërkombëtare me qëllim të luftimin efikas të krimit të organizuar, korrupsionit dhe formave tjera të rënda të krimit në Kosovë. Ne si polici por edhe prokuroria speciale e prokurorët tjerë e kemi obligim që përveç se duhet me pasë vullnet dhe e kemi obligim shtetëror të bëshkëpunojmë mes vete me qëllim që kemi një punë më efikase e të dobishme në mënyrë që qytetarëve tanë tju sigurojmë ambient të sigurt pa tremë pa frikë dhe po ashtu një vend ku mund të prosperohet, punohet dhe zhvillohet pa ndikime nga krimi i organizuar dhe korrupsioni”, ka thënë Hoxha.

Të ngjashme