Nesër në Kuvend debatohet për krijimin e ushtrisë

Prishtinë | 08 Shk 2017 | 14:02 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së, ka votuar në mënyrë unanime iniciativën e deputetit Qerim Bajrami për të debatuar nesër në seancën e kuvendit për hapat që duhet ndërmarrë për themelimin e ushtrisë, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i Komisionit, Duat Haradinaj tha se kanë arritur që të krijojnë ushtri për të çliruar Kosovën, ndërsa tani duhet të formojnë ushtri për ta mbrojtur atë.

Ai shtoi se debati themelimi i ushtrisë nuk duhet ta pengojë asnjë komunitet, ngase të gjithë do të jenë pjesë e saj.

“Edhe sa vite duhet të presim Listën Serbe, neve nuk duhet të na ndalojë asgjë për të mos debatojmë. Ne tashmë e dimë qëndrimin e tyre. Minoritetet nuk duhet të frikësohen nga kjo ushtri ngase edhe ata do të jenë pjesë e saj” ka thënë Haradinaj.

Nënkryetarja e komisionit, Ganimete Musliu tha se arsyeja se përse nuk e ka nënshkruar iniciativën për thirrjen e dabatit për FSK-në ka qenë për shkak të procedurave administrative.

“Jam ndier keq dhe e dëshpëruar për deklaratat e kolegëve të mi të komisionit nëpër medie ku është thënë që ne jemi kundër debatit për ushtrinë .Kjo nuk është e vërtet.Se kush është për dhe kundër do ta merrni vesh nesër.Ne si PDK do ta themi fjalën tonë edhe në seancë .Ne nuk kemi qenë kurrë kundër transformimit të FSK” tha ajo.

Duke iu kundërpërgjigj deputetes së PDK-së Ganimete Musliut, deputeti i Nismës, Zafir Berisha, tha se PDK-ja është fajtori kryesor që Kosova ka mbetur ende pa ushtri.

“Logjika që po përdoret këtu, mendoj se nesër do të jetë një debat koti . PDK e ka lënë Kosovën pa ushtri dhe në bazë të asaj që ju po flisni këtu FSK edhe për një kohë të gjatë nuk do të transformohet” tha Berisha.

Deputetja Musliu, vlerësoi se duhet dhënë kontribut për bërjen e ushtrisë, dhe sipas saj, PDK-ja është që sa më shpejt Kosova ta ketë ushtrinë.

Ajo kritikoi deputetët e opozitës se nuk duhet drejtuar gishti njëri tjetrit, sepse nuk është e drejtë të etiketohet PDK-ja, sepse sipas Musliut, asnjëherë nuk kanë qenë kundër debatit dhe kundër transformimit të FSK-së.

Qerim Bajrami nga 6 + duke iu drejtuar anëtarëve të komisionit tha se askush nuk po i përmend komunitetet tjera që janë pro transformimit të FSK-së.

“Unë nuk kam qenë prezent në komisionin e fundit por kam qene pak i ndikuar lidhur me mosmarrëveshjet e juaja. Më ka thirr asistentja dhe më ka thënë që kryetari i komisionit ka kërkuar një nënshkrim lidhur me iniciativën për diskutimin dhe e kam nënshkruar .Për mendimin tim e kemi vonuar dhe unë nuk hezitoj të nënshkruaj kur është në interes të shtetit dhe asnjëherë nuk e tërheq nënshkrimin”.

Të gjithë anëtarët votuan pro iniciativës për debatin e nesërm në Kuvendin e Kosovës.

Po ashtu, anëtarët e Komisionit kërkuan që në mbledhjen e ardhshme të raportojë shefi i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni në lidhje me uniformat ushtarake serbe që sipas mediave janë shfaqur në veri të Kosovës.

Të ngjashme