Nis punimet kongresi i 7-të ndërkombëtar i shkencave mjekësore

Prishtinë | 06 Maj 2017 | 11:24 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ka nisur punimet  kongresi i shtatë ndërkombëtar për shkenca mjekësore, projekt i Organizatës për Arsim, Shkencë dhe Shëndetësi “KISKOMS”, i cili ka për qëllim ngritjen e vetëdijes dhe interesimit të profesionistëve dhe studentëve të rinj të shkencave mjekësore, mbi rëndësinë e punës, projekteve e hulumtimeve shkencore.

Po ashtu ky kongres synon dhe edukimin dhe zhvillimin e vazhdueshëm profesional të tyre duke mundësuar akumulimin e kredive të nevojshme për licendim dhe rilicensim, raporton Ekonomia Online.

Lulzim Vokrri, anëtar i komisionit shkencor tha se kongreset e tilla përgatisin studentët për punën e tyre si mjekë të ardhshëm.

“Jam i impresionuar nga puna që është bërë nga ky kongres i cili do të ndihmojë studentët e mjekësisë të përgatiten për profesionin  si mjekë të ardhshëm për punë në vendet e tyre”, tha ai.

Prorektorja në Universitetin e Prishtinës, Teuta Pustina, tha se tashmë janë shtuar aktivitete të tilla të cilat kanë për qëllim avancimin e punonjësve shëndetësorë, por edhe të fushave të tjera.

“Nuk ka ditë që UP-ja nuk ftohet nga këso lloj eventesh. Interesimi i mjekëve dhe i punëtorëve shëndetësorë po rritet çdo ditë dhe unë dua t’i ftoj të gjithë që punën e tyre profesionale të mos e mbajnë në sirtare por ta shpalosin përmes projekteve dhe punimeve shkencore dhe UP-ja do t’i përkrahë çdo herë”, tha ajo.

Rektori i Kolegjit “Fama”,  Frashër Demaj, tha se ky simpozium është një sinjal pozitiv që shëndetësia e Kosovës po bënë hapa drejt perspektivës.

“Unë e vlerësoj këtë aktivitet si shumë të rëndësishëm që Kosova po bënë kuadro edhe për shtetet e Bashkimit Evropian dhe përmes këtyre projekteve studentët tanë të jenë të barabartë me dijen e studentëve të BE së. Do të duhet që ne bashkë të kemi një bashkëpunim edhe më të ngushtë që studentët të realizojnë veten e tyre”, tha ai

Kongresi i shtatë ndërkombëtar për Shkenca Mjekësore, realizohet në bashkëorganizim me Ministrinë e Shëndetësisë, UP-në, Universitetin e Gjakovës, disa kolegje vendore, Akademinë Italiane të Nutricionit dhe Dietologjisë si dhe Institucionet tjera shtetërore, shëndetësore, arsimore e shkencore në Republikën e Kosovës.

Ky projekt ishte i akredituar nga Bordi i Edukimit në Vazhdim në Ministrinë e Shëndetësisë, me 20 kredi për pjesëmarrësit aktivë dhe 15 kredi për pjesëmarrësit pasiv.

Të ngjashme