Anija Libra e Marinës është nisur drejt Shqipërisë për të sjellë grupin e parë të emigrantëve në qendrat e ngritura në Shqipëri për t’iu nënshtruar procedurave të përshpejtuara kufitare.
Corriere shkruan se pasi u bë kontrolli në bord për personat që do të transferoheshin, anija është nisur drejt portit të Shëngjinit.
Në krye të nismës është Ministria e Brendshme italiane. Javën e kaluar u vunë në funksion qendrat në Shëngjin dhe Gjiader dhe do të akomodojnë emigrantët e transferuar.
Anija Libra u nis nga Lampedusa për në Shqipëri, por fillimisht ndaloi në bregun sicilian pasi shpëtoi një grup emigrantësh që ishin larguar nga bregu i Afrikës së Veriut.
Sipas protokollit të nënshkruar nga kryeministri Giorgia Meloni me homologun e saj shqiptar Edi Rama , azilkërkuesit do të marrin një përgjigje brenda katër javësh: nëse përgjigja është pozitive ata do të transferohen në qendrat e pritjes në Itali.
Përndryshe ata do të kthehen në vendin e tyre të origjinës. Një procedurë, krahasuar me ato të parashikuara deri më sot, u përshpejtua ndjeshëm. Komisioni i kryesuar nga Prefektura e Romës do të shqyrtojë kërkesat, intervistat do të zhvillohen me video-lidhje ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë.