Nisin hetimet rreth incidentit gjatë mbledhjes së Bordit të Telekomit të Kosovës

Prishtinë | 26 Pri 2020 | 16:06 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës është autorizuar që të nisë hetimet rreth një incidenti të së premtes në Telekomin e Kosovës, gjatë mbajtjes së mbledhjes së bordit të kësaj ndërmarrjeje.

Autorizimi për hetime është dhënë nga Prokuroria e Shtetit, është bërë e ditur përmes një njoftimi. Kjo, pasi që Prokuroria Themelore në Prishtinë e kishte pranuar përmes Policisë së Kosovës një shënim zyrtar nga ministrja në detyrë e Ekonomisë, Rozeta Hajdari.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se ka pranuar një informatë nga Policia e Kosovës – Njësia e Hetimeve Rajonale në Prishtinë, ku përcjellin një email – shënim zyrtar, nga Ministrja në detyrë e Ministrisë së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari, lidhur me një incident që ka ndodhur më 24 prill 2020, në Telekomin e Kosovës gjatë mbajtjes së mbledhjes së Bordit të Telekomit të Kosovës”, shkruan në njoftim.

Në mbledhjen e së premtes, Bordi i përkohshëm i Telekomit të Kosovës e shkarkoi kryeshefin ekzekutiv të kësaj kompanie, Bedri Istrefin.

Atyre iu pamundësua mbajtja e mbledhjes në Telekom, pasi siç kanë bërë të ditur burime të KOHËS, janë sulmuar fizikisht nga persona të afërm me menaxhmentin. Mbledhjen e kanë mbajtur në MEPTINIS.

Të ngjashme