Një 32-vjeçar gjendet i vrarë në një banesë

Prishtinë | 29 Qer 2026 | 08:20 | Nga Ekonomia Online

Një person është gjetur pa shenja jete mbrëmjen e së shtunës në një banesë në katin e nëntë të një objekti banesor në rrugën “Sejdi Sejdiu” në Ferizaj.

Sipas Policisë së Kosovës, rasti është raportuar më 28 qershor 2026 rreth orës 22:50, ndërsa menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet reaguese të policisë, hetuesit e stacionit, Njësia e Reagimit të Shpejtë (NJRSH), hetuesit rajonalë, krim-teknikët dhe prokurori i shtetit për Krime të Rënda.

Viktima është identifikuar me inicialet F.H., 32 vjeç, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e tij në vendin e ngjarjes.

Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes është konstatuar një plagë që dyshohet se është shkaktuar nga arma e zjarrit. Policia ka sekuestruar një pistoletë dhe një gëzhojë si prova materiale.

Hetimet fillestare kanë treguar se ngjarja ka ndodhur në banesën e M.B., 48 vjeç. Në momentin e incidentit në banesë ndodheshin edhe bashkëshortja e tij dhe vajza, A.R., 24 vjeçe. Kjo e fundit ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes, autoritetet kanë ngritur dyshime të bazuara se rasti lidhet me veprën penale “Vrasje e rëndë”.

Me urdhër të prokurorit të rastit, M.B. është ndaluar për 48 orë. Vendim për ndalim prej 48 orësh është lëshuar edhe ndaj A.R., e cila vazhdon të mbetet nën trajtim mjekësor në QKUK.

Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ku do t’i nënshtrohet obduksionit.

Policia ka bërë të ditur se Sektori i Hetimeve Rajonale, në koordinim me prokurorin e shtetit, po vazhdon hetimet intensive për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Të ngjashme