Deputetët e Kuvendit të Kosovës u mblodhën për të njëzetën herë me radhë në seancën
konstituive të përbërjes së nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Por, ishte vetëm dështimi i radhës.
Në vazhdimin e sotëm Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe refuzuan sërish që ta propozonin një përfaqësues që ta formohej një komision për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për kryetarin e Kuvendit
Çështja e votimit të fshehtë , që u propozua më 1 maj nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, pasi e propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk arriti në disa votime t’i merrte 61 votat e nevojshme për t’u konfirmuar në post, është dërguar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nga partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.
Seanca konstituive do të vazhdojë pasnesër më 25 maj.
Kurti nuk flet, Gërvalla: Opozita po bllokon në Kuvend që të mos na vijë radha për Qeverinë
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, edhe këtë herë iu shmangr komunikimin me mediat, duke mos u përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për bllokadën në Kuvend, raporton Ekonomia Online.
Por , kolegia e tij nga Vetëvendosje, Donika Gërvalla, pas dështimit të 20-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, tha se opozita po e bllokon procesin që të mos u vijë radha që ta bëjnë Qeverinë
“Sot ishim dëshmitarë të vazhdimit të bllokadës. Kjo qasje duhet të ndalet menjëherë. Nuk jemi në proces zgjedhjeje të qeverisë, por në konstituimin e Kuvendit. Ai që voton për, asnjëherë nuk është bllokues i një procesi. Nuk mund t’ia shtroni këtë pyetje atyre që e çojnë dorën në çdo seancë. Të mos marrësh pjesë në votim, e shkel kushtetutën. Le të votojnë kundër. Dëshira e tyre është për të bllokuar procesin dhe për ta vendosur Kosovën si një shtet të paaftë.
Sot fatkeqësisht ishim dëshmitarë të vazhdimit të bllokadës, kjo situatë është e papranueshme, është situatë që kërkon zgjidhje të menjëhershme, kërkojmë reagim racional nga deputetët e opozitës që bllokojnë Kuvendin. Mua nuk më mbetet tjetër vetëm të bëj thirrje që kjo qasje bllokuese të ndalet”, tha Gërvalla.
Çitaku: Kosova po mbahet peng nga kryeneçësia e Albin Kurtit
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, pas dështimit të 20-të të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, e akuzoi kryeministrin në detyrë dhe liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, për bllokimin e proceseve institucionale, raporton Ekonomia Online.
Ajo theksoi se pengesat politike po mbajnë vendin në ngërç dhe kërkoi reflektim nga liderët për të çuar përpara proceset demokratike në interes të qytetarëve.
“103 ditë të humbura për Kosovën, 103 ditë pa i adresuar hallet e qytetarëve të Kosovës. PDK vazhdon të jetë konstruktive. Ne jemi të gatshëm çdo moment që të hapim rrugë, kemi ofruar alternativat tona. Mirëpo, Kosova po mbahet peng e kryeneçësisë së Albin Kurtit. Bëjmë ftesë për reflektim që të ecim tutje”, tha Çitaku.
Lushaku: VV e paaftë të sigurojë shumicën, LDK s’e voton asnjë kandidat të saj
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku, ka kritikuar partinë fituese për paaftësinë në sigurimin e shumicës parlamentare dhe mosarritjen e konstituimit të Kuvendit, edhe pas 20 tentativave, raporton Ekonomia Online.
“Partisë fituese I ka takuar ta prezantojë kryetarin e Kuvendit të Kosovës, tani për të 20 herë po provojmë ta bëjmë konstituimin e Kuvendit, kjo ka shpërfaq paaftësi të partisë fituese për ta siguruar shumicën në vend. Kjo është për fatkeqësi sepse po përballemi me procese shumë të vështira për qytetarët. Mos të harrojmë që energjia elektrike është shtrenjtuar dhe ka ndikuar shumë tek qytetarët dhe e bënë të papërballueshme jetesën në Kosovë.
Ne si parti e kemi dhënë propozimet tona që të jetë një qeveri kalimtare deri në zgjedhjet e ardhshme për të ardhur në një zgjedhje. Nuk e di kushdo që prezantohet nga VV-ja nuk prezantohet ne nuk do ta votojmë dhe kjo është një qëndrim që e kemi bërë tash e s’di sa herë”, tha Lushaku.
Haradinaj: Nuk kemi diskutuar kandidaturën e Limajt, nuk kam qëndrim nëse do ta votoj
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se partia e tij është e hapur për të mbështetur një kandidat unifikues për postin e kryetarit të Kuvendit, raporton Ekonomia Online.
Haradinaj është pyetur se a do ta votonte kryetarin e Nismës, Fatmir Limaj, për kryetar Kuvendi, U shpreh se ajo nuk është diskutuar në grupin parlamentar dhe se nuk ka një qëndrim personal nëse do ta votojë ose jo.
“Po mbaj shpresë që do të ketë kandidate unifikuese. Edhe pse nuk është përgjegjësia jonë kemi dhënë një propozim, ne do të japim votën nëse do të propozohet Glauk Konjufca, Saranda Bogujevci, Shqipe Selimi. Nuk mund të jap një mendim, sepse nuk kemi diskutuar në aleancë.
Kemi ato situatat e rrugëtimit të tij ndaras dhe nuk mund të jap një përgjigje të saktë. Po vijmë me shpresë që ta bëjmë një zgjidhje. Eshtë rast i rrallë që një parti opozitare është e gatshme për kandidatin unifikues, për fat të keq jemi në një situatë jo të mirë. Shpresoj të ketë reflektim, ka shumë emra të tjerë që mund t’i votojmë. “E kemi sqaruar këtë temë, ne si deputet i kemi bindjet tona në grup. Nuk e kemi diskutuar kandidaturën e Limajt. Nuk kam qëndrim se a do ta votoj”, tha Haradinaj.