Nuk i lejoi t’ia kontrollojnë bagazhin – Dogana inicion procedurë kundërvajtëse ndaj shtetasit të huajit

Prishtinë | 13 Kor 2026 | 16:26 | Nga Ekonomia Online

Dogana e Kosovës ka iniciuar procedurë kundërvajtëse ndaj një shtetasi të huaj, pasi i njëjti nuk ka zbatuar urdhrin e ligjshëm të zyrtarit doganor gjatë kryerjes së kontrollit në Pikën e Kalimit Kufitar Vërmicë.

Gjatë ushtrimit të kontrolleve rutinë në hyrje të Republikës së Kosovës, zyrtari doganor ka ndaluar për kontroll një automjet me targa të shtetit fqinj. Në përputhje me procedurat doganore dhe kompetencat e përcaktuara me Kodin Doganor dhe të Akcizave Nr. 08/L-247, drejtuesi i automjetit është pyetur nëse posedonte mallra apo sende që duhej të deklaroheshin pranë autoriteteve doganore.

Drejtuesi i automjetit ka deklaruar se nuk kishte asgjë për të deklaruar. Më pas, bazuar në analizën e kontrollit dhe kompetencat ligjore të zyrtarit doganor, atij i është kërkuar të hapë bagazhin e automjetit për kryerjen e kontrollit fizik. Megjithatë, drejtuesi ka refuzuar të zbatojë urdhrin e zyrtarit doganor dhe është larguar nga pika kufitare pa iu bindur urdhrit të dhënë.

Falë bashkëpunimit dhe koordinimit të menjëhershëm ndërmjet Doganës së Kosovës dhe Policisë Kufitare të Kosovës, personi është identifikuar dhe ndaj tij është iniciuar procedurë për kundërvajtje, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Ata kanë njoftuar se për këtë kundërvajtje, ligji parasheh shqiptimin e një gjobe prej 300 (treqind) euro deri në 3,000 (tremijë) euro, si për personat fizikë ashtu edhe për personat përgjegjës në personat juridikë.

Të ngjashme