Nurellari tregon gjenezën e urrejtjes ndaj Drenicës: Jugosllavët dhe shërbëtoret e tyre shqiptarë e filluan

Prishtinë | 21 Jan 2023 | 12:10 | Nga Ekonomia Online

Politologu Adri Nurellari, ka treguar gjenezën e urrejtjes ndaj rajonit të Drenicës.

Ai ka bërë me dije se komentet fyese ndaj këtij rajoni që janë rikthyer pas vërshimeve të fundit kanë një traditë të gjatë.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai ka shkruar se përçmimin ndaj këtij rajoni e kanë filluar jugosllavët si dhe kolaboracionistët shqiptarë.

Sipas tij, kjo ka ndodhur për faktin se Drenica ishte qendër e rezistencës ndaj pushtuesve.

“Sikur të mos mjaftojë vuajtja dhe sfida e shkaktuar prej fatkeqësisë natyrore bashkëqytetarët e shkretë duhet të përballen edhe me përqeshjen në formën e racizmit kulturor të disa snobave për Drenicën. Manifestimi i këtij nënçmimi, përveçse dëshmon për mungesën e njerëzillëkut dhe empatisë, pra për vobektësinë shpirtërore të atyre njerëzve që i kanë shprehur, të lë edhe një shije të hidhur deja vu të retorikës jugosllave. Që prej fillimit të pushtimit të Kosovës në 1912 Drenica ka qenë një qendër rezistence e papërkulur brez pas brezihe kjo është arsyeja pse jugosllavët si dhe kolaboracionistët shqiptarë shërbëtore të tyre, kultivuan përçmim dhe e lanë të pazhvilluar duke mos investuar në atë rajon”, ka shkruar Nurellari.

“Mirëpo ajo që më është dukur më qesharake në komentet e këtyre pseudo-urbanëve që flasin me neveri për Drenicën duke thënë se “babë e babgjysh kanë jetuar në lloq”, është fakti se këta nuk e dinë që edhe atyre vetë njësoj iu ka jetuar baba e babëgjyshi në Prishtinë. Mbase në imagjinatën e tyre ata ndihen sikur kanë prejardhjen nga qytete perandorake si Parisi, Vjena apo Londra mirëpo faktikisht Prishtina e shkretë gjithashtu ka vuajtur nga balta e përmbytjet e shpeshta të dy lumenjve të saj. Faktikisht në mes të qytetit të vjetër të Prishtinës kalonin dy lumenj të vegjël, Vellushës dhe Prishtevkës, të cilët madje në disa pjesë krijonin moçale të mirëfillta që ishin burime sëmundjesh”, ka shkruar Nurellari.

Ai gjithashtu ka postuar edhe disa fotografi të cilat e deshmojnë një gjë të tillë.

“Pasi Prishtina ia mori Prizrenit statusin e kryeqytetit të Kosovës në 1948, në kuadër të investimeve infrastrukturore të qytetit të ri jugo-socialist fillimisht u bonifikua Vellusha në fund të viteve 50-të e mandej Prishtevka në fund të viteve 70-të duke i futur të dy rrjedhat e ujit në tuba nëntokësorë që mundësuan rrugët e kulluara. Fatkeqësisht bashkë me këto ndryshime modernizuese, u shkatërruan monumente të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të qytetit sikurse qenë Pazari i vjetër, xhamia e Llokaqit, kisha katolike e Stakajve, Sinagoga etj. Fotografitë e vjetra japin një ide të baltës që mbizotëronte në Prishtinë në kohën e “baballarëve e babgjyshave të “qytetarëve elitarë” të sotshëm ndërsa rrëfimi në vegëzën e mëposhtme krijon një ide se si ishte jeta asokohe”, ka shkruar ai.

Të ngjashme