OBSh-së i duhen 31 miliardë dollarë për 12 muaj për të luftuar Coronavirusin

Prishtinë | 26 Qer 2020 | 16:54 | Nga Ekonomia Online

Koalicionit të udhëhequr nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në luftën kundër Coronavirusit i duhen 31.3 miliardë dollarë në 12 muajt e ardhshëm për të luftuar këtë virus.

OBSh-ja u ka bërë thirrje qeverive dhe dhuruesve privatë të ndihmojnë në arritjen e fondit prej 31.3 miliardë dollarësh për të dhuruar teste, trajtime e për vaksinat e nevojshme për të luftuar sëmundjen.

Në një njoftim të premten, koalicioni global kundër pandemisë ka thënë se deri tash janë mbledhur 3.4 miliardë dollarë, ndërsa ka nevojë edhe për 27.9 miliardë të tjerë. Nga to, 13.7 miliardë “nevojiteshin urgjent”.

OBSh-ja synon të zhvillojë dhe dorëzojë rreth 500 milionë teste për COVID-19 dhe 245 milionë kurse për trajtim për shtetet me të hyra të ulëta dhe mesatare, deri kah mesi i 2021-s.

Ajo shpreson të dorëzojë 2 miliardë doza të vaksinës, përfshirë një miliard që do të blihen nga shtetet e varfra dhe ato me të hyra të mesme, deri kah fundi i 2021-s.

Të ngjashme