Oda Nordike hapet në Kosovë – Kurti e cilëson urë lidhëse të investimeve nga këto shtete

Prishtinë | 26 Maj 2023 | 11:40 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, merr pjesë në hapjen e Odës Nordike, raporton Ekonomia Online.

Me këtë rast ai ka thënë se shpreson që Oda të jetë urë lidhëse që bizneset nga këto vende të investojnë në Kosovë.

Duke folur për arritjet e dukshme të Qeverisë gjatë dy viteve të fundit, kryeministri Kurti përmendi raportet ndërkombëtare për Kosovën, duke përfshirë atë të BE-së, Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, Reporterëve pa Kufij dhe të tjera raporte që evidentojnë arritjet, përkushtimin dhe punën e Qeverisë për përparimin e vendit.

Kryeministri tha se një nga objektivat kryesore të “NordiKo” do të jetë mbështetja e investitorëve të mundshëm nga vendet nordike, për të eksploruar mundësitë e investimeve dhe shkëmbimit tregtar për dhe nga Kosova. Kjo dhomë biznesi do të shërbejë si një katalizator për përparimin, një platformë që nxit bashkëpunimin, inovacionin dhe sipërmarrjen.

Me këtë rast, ai tha se Kosova do të bëhet vendi më konkurrues në Ballkanin Perëndimor kur bëhet fjalë për Investimet e Huaja Direkte. Madje, për të treguar se sa të rëndësishme i konsiderojmë investimet e huaja direkte dhe zhvillimin ekonomik në përgjithësi, kryeministri tregoi se jemi në procesin e krijimit të Agjencisë së Investimeve dhe Eksportit në kuadër të Zyrës së Kryeministrit dhe po punojmë me disa organizata partnere ndërkombëtare për të zhvilluar procese efektive, që mundësojnë rritjen e shpejtë e të qëndrueshme të investimeve të huaja dhe të orientuara drejt eksportit.

Para të pranishmëve, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin e thellë për vendet nordike, që kanë luajtur një rol kaq të rëndësishëm në çlirimin dhe zhvillimin e Kosovës, duke theksuar se mbështetja e palëkundur e Danimarkës, Finlandës, Suedisë dhe Norvegjisë, ka qenë thelbësore në formësimin e rrugëtimit të kombit tonë drejt lirisë, paqes dhe përparimit.

Në fund të fjalës, ai uroi edhe njëherë për “NordiKo” dhe veçoi se Qeveria e Kosovës është e lumtur dhe e nderuar për përkushtimin dhe punën për ta bërë Odën Nordike një sukses tjetër të radhës.

Kryetarja e Odës Nordike të Tregtisë, Afërdita Pllana, u shpreh i bindur se Oda do të ndihmojë në rritjen ekonomike, por dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Ambasadori i Finlandës Matti Nissinen u shpreh se bashkëpunimi ekonomik ndemjet vendit të tij dhe Kosovës do të vazhdojë dhe Oda do të jetë mundësi shumë e mirë.

Edhe ambasadori i Norvegjisë Jens Erik Grondahl, e cilësoi këtë nismë si të qëlluar, duke shtuar se mbeten të përkushtuar në intensifikimin e bashkëpunimit.

Të ngjashme