OEK kërkon financim për Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj: Investimi në arsim është investim në ekonomi

Prishtinë | 28 Kor 2026 | 20:28 | Nga Ekonomia Online

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka shprehur shqetësim për mundësinë e mungesës së financimit për Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, duke vlerësuar se ky institucion ka rol të rëndësishëm në përgatitjen e kuadrove profesionale dhe në lidhjen e arsimit me nevojat e tregut të punës.

Përmes një reagimi publik, OEK ka theksuar se investimi në arsim paraqet një bazë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit.

“Investimi në arsim është investim në zhvillimin ekonomik të vendit”, thuhet në reagimin e Odës Ekonomike të Kosovës.

Sipas OEK-ut, Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj ka krijuar një model të suksesshëm bashkëpunimi me sektorin privat, duke kontribuar në përgatitjen e të rinjve me aftësi praktike dhe profesionale.

“Ky universitet ka ndërtuar një model të suksesshëm bashkëpunimi me sektorin privat, duke përgatitur të rinj me aftësi praktike dhe profesionale, të nevojshme për zhvillimin e ekonomisë së Kosovës”, thuhet në reagim.

OEK u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të sigurojnë mbështetjen dhe financimin e nevojshëm për vazhdimin e funksionimit të këtij universiteti.

“Oda Ekonomike e Kosovës u bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të sigurojnë mbështetjen dhe financimin e nevojshëm për vazhdimin e funksionimit të këtij universiteti”, thuhet më tej.

Sipas kësaj ode, ruajtja dhe zhvillimi i institucioneve që përgatisin profesionistët e së ardhmes është në interes të studentëve, komunitetit të biznesit dhe ekonomisë së vendit.

“Ruajtja dhe zhvillimi i institucioneve që përgatisin profesionistët e së nesërmes është në interes të studentëve, biznesit dhe të gjithë ekonomisë së vendit”, thotë reagimi i OEK-ut.

Të ngjashme