Oficeri i sigurisë në shkolla, Mecolli: Kemi ndërhyrë në 8 përplasje mes gjimnazistëve

Prishtinë | 16 Pri 2018 | 13:06 | Nga

Dëshira e Haris Mecollit për të kontribuar në sistemin arsimor ka qenë e hershme, ndërsa deri pak javë më parë ai u bë pjesë e trupës mësimore, si figurë e oficerit të sigurisë në gjimnazin “Aleks Buda”, figurë kjo e sjellë për herë të parë në shkollat e kryeqytetit, për krijimin e një modeli bashkëkohorë të funksionimit të tyre.

Ndonëse Shqipëria nuk është vendi ideal, për Mecollin, 23 vjeçarin me origjinë nga Korça dhe që prej vitesh jeton në Tiranë, ky vend të ofron mundësinë e artë për të kontribuar për të ardhmen e vendit, duke krijuar një raport me nxënësit dhe mësuesit që kalon përtej modeleve formale dhe të ftohta, duke krijuar kështu një lloj autoriteti miqësor me nxënësit dhe duke i ndihmuar këta të fundit, në zgjidhjen e konflikteve dhe parandalimin e situatave me rrezik për vetë ata dhe komunitetin e shkollës.

Në vitin e fundit të masterit, për të Drejtën Penale, Mecolli rrëfen për ATSH-në, se parandalimi i rasteve konfliktuale përbën pikën kyçe në mbarëvajtjen e komunitetit të shkollës. Gjimnazi “Aleks Buda” në kryeqytet ka 676 nxënës ndërsa në të kaluarën ka qenë një nga shkollat më problematike të Tiranës.

Agjencia Telegrafike Shqiptarë ka ndjekur nga afër një ditë të zakonshme të punës së oficerit të sigurisë, duke intervistuar Haris Mecollin por njëkohësisht duke marrë edhe mendimet e nxënësve, mësuesve si dhe prindërve lidhur me punën konkrete të tij.

Rolin e tij, oficeri e ka konsideruar si një hallkë të rëndësishme të edukimit të nxënësve.

“Ne jemi ndihmë për psikologun, pak psikolog, një ndihmë për mësuesit, pak mësues jemi edhe një mik i mirë për nxënës dhe mik i mirë për mësuesin. Roli ynë është gjithëpërfshirës në shkollë”, ka shpjeguar Mecolli.

Duke vlerësuar praninë e oficerit të sigurisë në shkollat e Tiranës, ai ka thënë se kjo figurë është një domosdoshmëri për shkollat tona, për të parandaluar fenomene negative që infektojnë të rinjtë.

“Oficeri i sigurisë është tepër i nevojshëm në shkollat shqiptare sepse parandalon fenomene negative që infektojnë nxënësit. Fenomene të tilla si lëndët narkotike, bulizmi si dhe fenomene të tjera që kanë të bëjnë me orarin mësimor.

Vetëm në dy javët e para, në këtë gjimnaz janë parandaluar 8 raste konflikuale, që sipas Mecollit kanë qenë kryesisht sherre për motive tepër të dobëta.

Lidhur me marrëdhëniet e ndërtuara me nxënësit, ky i fundit ka thënë se oficeri duhet të jetë një shembull konkret pozitiv, për të gjithë shkollën.

“Marrëdhëniet me nxënësit, unë personalisht i kam shumë të mira. Oficeri i sigurisë duhet të jetë vetë një person që duhet të japi shembullin konkret, një shembull për t’u ndjekur dhe nuk duhet të jetë dikush autoritet por për të mbështetur si nxënësit ashtu edhe mësuesit”, u shpreh ai.

Sakaq, Mecolli ka vënë në dukje se është bërë punë kolosale nga ana e instancave përkatës për kurikulat e oficerëve në shkolla.

“Është bërë punë kolosalë si nga akademia e sigurisë për kurrikulat e për oficerët e sigurisë. Problematikat janë të shumta por që me kalimin e kohës edhe ato problematika do të zgjidhen, prandaj jemi ne”, ka përfunduar oficeri i sigurisë së gjimnazit “Aleks Buda”.

Oficerët e përzgjedhur në gjimnazet e Tiranës, ai i ka konsideruar me integritet, duke përçuar vlera tek brezi i ri.

Në vetëm javët e para të zbatimit të këtij projekti, nxënësit kanë ndarë rastet konkrete të konflikteve të zgjidhura në shkollën e tyre.

“Roli i oficerit të sigurisë në shkollën tonë është shumë i madh jo vetëm për marrëdhëniet që kemi krijuar ne me por edhe për shkak se mësuesit nuk duhet të merren gjatë orës së mësimit me rregullimin e nxënësve problematike”, u shpreh Erisa Hidri.

Ndërsa Gentian Gjoka, nga ana e tij vuri në dukje se ndryshe nga çfarë kishin menduar, oficeri nuk është një polic por një mik i tyre.

“Qëkur erdhi oficeri ne menduam se do ishte njeri autoritet si një “polic” por me kalimin e kohës kuptuan që ai siguronte vetëm qetësi duke na mbështetur dhe duke na dhënë përkrahje si një shok i joni”.

Edhe për nxënësen e këtij gjimnazi, Era Përvataj, figura e Mecollit është për t’u vlerësuar.

“Një rast konkret është kur ndodhi një konflikt në shkollën tonë, oficeri ishte i gatshëm jo vetëm si oficer por edhe si një mik. Është bërë tashmë një mik për ne”.

Klajdi Nika shprehet se kjo shkollë ku ai studion ka tipa problematikë por fakti që oficeri i sigurisë ka gjetur gjuhën e përbashkët me ta, duket sikur çdo gjë po shkon shumë mirë.

“Siç çdo shkollë tjetër edhe shkolla jonë ka disa tipa problematikë, pasi mosha është e atillë, pra delikate. Me ardhjen e oficerit, ai ka gjetur gjuhën e përbashkët me ne, nxënësit, me problematikat dhe çdo gjë duket sikur po ecën me mirë, pra sikur po ecën vaj”.

Nga ana e saj, Drejtoresha e këtij gjimnazi, Valdeta Bujupi është shprehur se tashmë hapësira boshe mes procesit mësimor dhe problematikave të ndryshme të nxënësve, përmbushet nga prania e oficerit.

“Unë kam vënë re se shpeshherë ndoshta gjysmë orë ose një çast ngelej e pambuluar nga ana jonë dhe në këtë rast e kam vlerësuar ndihmë shumë të madhe pikësëpari për drejtorinë e shkollës, praninë e oficerit të sigurisë”, ka thënë ajo.

Ndonëse i ri në moshë, drejtoresha ka shprehur vlerësimet maksimale për Mecollin, që sipas saj, e kryen punën e tij me shumë përgjegjshmëri dhe pasion.

“Pavarësisht moshës së re, është shumë aktiv dhe ka shumë pasion dhe unë pasionin e vlerësoj sepse mjafton të kesh pak pasion në punën tende dhe suksesi është i padiskutueshëm”, ka theksuar Bujupi.

Edhe prindërit nga ana e tyre, kanë thënë se më parë roli i oficerit është kryer nga vetë ata, që janë treguar të vemendshëm ndaj problematikave të shkollës dhe me vendosjen e oficerit të sigurisë, tashmë janë lehtësuar si prindërit ashtu edhe mësuesit.

“Kjo shkollë ka qenë gjithmonë me probleme dhe na është dashur ne prindërve të bëjmë rolin e oficerit”, ka thënë Xhersjana Ahmetaj.

Projekti pilot “Oficerët e Sigurisë” në shkolla vjen si bashkëpunim mes Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Brendshme ndërsa tanimë po shtrihet në 15 gjimnazet e kryeqytetit. /atsh/

Të ngjashme