Opozita në Lipjan akuzon qeverisjen për “kurdisje” të konkurseve publike

Prishtinë | 09 Pri 2021 | 16:01 | Nga Ekonomia Online

Subjektet opozitare në Lipjan, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike kanë akuzuar qeverisjen lokale për “kurdisje” të disa konkurseve për pozita menaxheriale në sektorin e arsimit, shëndetësisë dhe në departamentin e zyrës së kryetarit.

Sipas opozitës qeverisja e LDK-së në mënyrë të kundërligjshme ka nisur t’i “rehatoi” disa militantë në prag të gjashtëmujorit nga zgjedhjet lokale. Lëvizja Vetëvendosje, nëpërmjet një reagimi publik ,të premten, ka bërë të ditur se qeverisja lokale ka në fokus të punësoi edhe persona të tjerë cilët së fundi i janë bashkuar partisë së kryetarit Ahmeti.

Valenton Amerllahu, anëtar i kryesisë së Vetëvendosjes në Lipjan ka thënë se së shpejti rastin e shpalljes së konkurseve do ta denoncojnë edhe në organet e drejtësisë.

“Përpjekjet e kryetarit të Komunës për të manipuluar me pozita publike tashmë janë identifikuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Ky kryetar, duke e parë trendin fitues të LVV-së edhe në zgjedhjet e ardhshme lokale, kryetari në ikje ia ka nisur t’i “rehatoi” personat politik në pozita publike duke shpallur konkurse edhe pse ligji e thotë se brenda gjashtë muajve para zgjedhjeve nuk guxon të shpallen konkurse publike. Ky tash në prag të këtij gjashtëmujori ia ka nisur të shpall konkurse në komunën e Lipjanit”, ka thënë Amerllahu.

Sipas tij, praktikat e këqija të joshjes, kryetari Ahmeti i ka vazhduar edhe këto ditë me disa konkurse. “Megjithëse ende nuk e dimë saktë datën e zgjedhjeve komunale është fakt i pamohueshëm se jemi në limitet e kohës e cila parashihet me ligj që institucionet publike nuk kanë të drejte të shpallin konkurse. Pra, mungesa e përcaktimit të datës nuk e shfajëson as nga përgjegjësia politike e as morale kryetarin e komunës i cili gjithë kapacitet publike i vë në funksion dhe shërbim të tij dhe subjektit që përfaqëson”, ka thënë midis të tjerash Amerllahu.

Ndërkohë, edhe PDK-ja dega në Lipjan, nëpërmjet një komunikate për media ka akuzuar se qeverisja lokale ka për qëllim t’i “rehatoi” disa militant për t’ia kthyer “borxhet” për aktivitete nga e kaluara. Andaj kanë bërë thirrje publike për kryetarin e Komunës që t’i anuloi këto konkurse duke i cilësuar si të jashtëligjshme.

“Ekipet tona profesionale të PDK-së, edhe në të kaluarën kanë reaguar lidhur me kurdisje të tilla, por së fundi kurdisja për vendet e punës po i bëhej disa zyrtarëve politik të LDK-së, për t’i rehatuar ata në pozita të larta dhe fiktive. Së pari këto dhjetëra konkurse janë shpallur në prag të gjashtëmujorit për zgjedhjet lokale pasi që kryetari i komunës tashmë e ka kuptuar dhe pranuar humbjen, andaj qëllimi i tij është që t’i rehatoi disa militant të cilëve iu ka mbetur “borxh” nga e kaluara”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Ky subjekt ka kërkuar që konkurset të jenë publike dhe të kenë qasje të gjithë qytetarët.

“Veprime të tilla të kësaj keqqeverisje kanë ndodhur edhe në të kaluarën, por ky reagim i PDK-së është bërë shkas edhe për nder të ditës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës me qëllim që kryetarit të Komunës t’i kujtohen ligjet në fuqi. Ky kryetar dikur thoshte se “Jemi të pastër para ligjit dhe Zotit”, ndërsa sot po e shkel atë”, thuhet më tej në reagim.

Sipas tyre, kryetari Ahmeti po ashtu ishte zotuar se nuk do të mbante asnjë drejtor dhe asnjë zyrtar me aktakuza, por edhe këtë zotim e shkeli para qytetarëve sepse sipas tyre tashmë të gjithë e dinë se zyrtarisht dy drejtor të tij po përballen nëpër gjykata për shkak të aktakuzave.

“Ndërkaq, po ashtu edhe një inspektor ende gjendet në paraburgim për marrje dhe dhënie të ryshfetit. Pra, me këto veprime shumë shpejtë edhe ky kryetar do t’i bashkohet zyrtarëve të vet me aktakuza”, thuhet në fund të komunikatës.

Në anën tjetër zëdhënësi i Komunës Diamant Bytyqi dhe zyrtarët për informim, gjatë së premtes nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHES lidhur me denoncimet e opozitës.

Të ngjashme