Opozita në pritje të përfundimit të hetimeve për rastin e katërvjeçares në Gjakovë

Prishtinë | 23 Shk 2024 | 08:07 | Nga Natyra Salihaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Partitë opozitare kanë reaguar ndaj vdekjes së katërvjeçares në Gjakovë, e cila dyshohet se vdiq nga neglizhenca e mjekëve. PDK, LDK e AAK, kërkojnë fillimisht që të përfundojnë hetimet, e më pastaj të kërkohet llogaridhënia, raporton Ekonomia Online.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, thotë për Ekonomia Online, se rasti i katërvjeçares nuk është i vetmi, derisa përmend edhe vrasjen e shtatzënës nga bashkëshorti i saj para Klinikës së Gjinekologjisë e hedhjen e foshnjës në lavatriçe në spitalin e Pejës.

Për këto të fundit, Zemaj thekson se nuk ka dhënë askush përgjegjësi.

“E para unë shprehi ngushëllime familjes është tepër sensitive dhe emocionale kur ka dyshime për humbjen e një jetë të një fëmije pra kjo nuk është skandali i vetëm që ka ndodh dhe ku nuk ka pas përgjegjësi në këtë Qeveri. Brenda institucioneve shëndetësore kanë ndodhur disa raste siç ka qenë rasti i gruas shtatzënë në derën e klinikës së Gjinekologjisë ose në oborrin e QKUK-së, ka qenë skandali në Pejë me foshnjën ku ka qenë i tmerrshëm edhe për t’u diskutuar dhe akoma është ajo me hedhjen në lavatriçe por edhe humbja e jetës së pacientit në klinikën e psikiatrisë. D.m.th kanë qenë tri skandale dhe askush nuk ka dhënë përgjegjësi sepse nuk ka pas kush të kërkojë sepse menaxhmenti politika, Ministria fare nuk ka qenë e interesuar vetëm i ka tejkalu në këtë formë”, thotë Zemaj.

“Pra nuk mund të presim se mund të kenë ndonjë vëmendje të shtuar edhe për këtë të fundit por është fatkeqësi që ndodh në këto kohë dhe për këtë kohë që për shkak të dyshimeve dhe unë mendoj se organet e drejtësisë por edhe inspektorati shëndetësor duhet ta thotë fjalën e vetë dhe të vërtetën duke e ruajtur njëherë edhe personelin nga dyshimet e ekzagjeruara por duke kërkuar përgjegjësi nëse ka pasur shkelje dhe kjo nuk don pardon. Ne nuk presim përgjegjësi që kërkohet nga Ministria sepse shembujt paraprak kanë treguar se këta fare nuk kanë qenë të interesuar që dikë ta vejnë para përgjegjësisë ose së paku të marrin përgjegjësi morale për veten se kjo mungon pra kur kjo mungon atëherë këto vetëm kalojnë në baza ditore”, thotë tutje Zemaj.

E deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, thotë për Ekonomia Online se raste të tilla ndodhin për shkak të mungesës së një sistemi funksional shëndetësor e llogaridhënës.

“Përderisa nuk ka një sistem funksional shëndetësor, llogaridhënie dhe përgjegjësi për veprimet e çdo njërit atëherë vijnë situata të tilla që edhe fëmijët 4-vjeçar pësojnë”, u shpreh Haxhiu.

E deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, dyshon se ky rast ka ndodhur për shkak të një infeksioni të madh por që kërkon kohë deri në fjalën përfundimtare të ekspertizës. 

“Mendoj se nuk duhet të ngutemi në vlerësime sepse rasti ka përfunduar në ekspertizë pra ekspertiza duhet të jap fjalën e fundit. Përshtypjet e mia janë se ka qenë një seps e rëndë (si njëra nga format më të rënda të infeksionit) por fjala përfundimtare i takon ekspertizës”, deklaroi ai.

Të ngjashme