ORCA: 55 për qind e profesorëve në UP nuk e justifikojnë titullin e tyre akademik

Prishtinë | 24 Kor 2020 | 11:32 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka publikuar raportin “Integriteti akademik, publikimi shkencor dhe justifikimi i titujve në Universitetin e Prishtinës.

Në këtë raport u bë e ditur se në vitin 2019 nga 479 profesorë në Universitetin e Prishtinës, 262 apo 55 për qind e tyre nuk e justifikojnë titullin e tyre akademik, raporton Ekonomia Online.

Gramos Buqinca paraqiti faktet e përgjithshme nga raporti, ku tha se ka një përmirësim nga vitet e kaluara.

“Në vitin 2019 nga 479 profesorë në UP, 262 apo 55 për qind e tyre nuk e justifikojnë titullin e tyre akademik. Kjo është një e dhënë shqetësuese, ndonëse paraqet një përmirësim nga viti 2017 kur përqindja e mosjustifikimit të titullit ishte 72 për qind dhe nga viti 2018 kur e njëjta ishte 59 për qind”, tha ai.

“Sa më i lartë titulli akademik aq më e keqe situata. 66 për qind apo rreth 2/3 e profesorëve të rregullt nuk e justifikojnë titullin e tyre akademik, krahasuar me profesorët e asocuar me 60 për qind dhe profesorë asistentë me 40 për qind.  Mos-justifikimi i titullit akademik rritet në proporcion të drejtë më moshën e profesorëve, ku 69 për qind e atyre mbi moshën 50 vjeçare nuk e justifikojnë titullin, krahasuar me 31 për qind të atyre mes moshës 40 dhe 50, dhe 12 për qind të tyre në moshën 40 vjeçare”, tha ai, raporton EO.

Ndër të tjera, Buçinca tha se 39 për qind e profesorëve nuk kanë asnjë publik shkencor të shënuar në CV-në e tyre.

“Janë 532 punime të botuara në revista të dyshimta nga 152 profesorë. Shqetësimi më i madh mbetet fakti se 39 për qind e profesorëve nuk kanë asnjë publik shkencor të shënuar në CV-në e tyre”, u shpreh ai.

Sa i përket mosjustifikimit të titujve akademikë, Buçinca theksoi se ai rritet në proporcion të drejtë me moshën e profesorëve, ku 69% e atyre mbi moshën 50 vjeçare nuk e justifikojnë titullin, krahasuar me 31% të atyre mes moshës 40 dhe 50, dhe 12% të atyre nën moshën 40 vjeçare.

Ai shtoi se kjo tregon që profesorët e rinj, formalisht i plotësojnë kriteret disa-fish më shumë sesa kolegët e tyre më të vjetër.

“Personi më i ri në moshë me titullin akademik “profesor i rregullt”, pra që ka kontratë permanente të punës, që nuk e justifikon këtë titull, do të pensionohet në vitin 2040. Kjo do të thotë që një fëmijë që sot është 8 vjeç dhe që vendosë të studiojë në UP, nëse supozohet se ndjek të gjitha nivelet e shkollimit me sukses të plotë, ka mundësi që të mentorohet në të gjitha gradat shkencore (Bachelor, Master, Doktoraturë) nga një profesor jomeritor”, deklaroi zëvendës drejtori i ORCAs.

Tutje Buçinca tregoi që për herë të parë, ORCA ka bërë edhe analizën gjinore të justifikimit të titullit akademik, sipas të cilës ka rezultuar se 39% e grave profesore në UP nuk e justifikojnë titullin akademik, krahasuar me 60% tëprofesorëve burra.

“Profesorët aktualë në UP kanë publikuar 2042 punime në revista shkencore. Kjo paraqet një rritje prej 307 publikimeve nga viti 2018.  Vetëm në 2017-tën u publikuan 263 punime shkencore, më së shumti në një vit që nga 1988 kur u regjistrua botimi i parë i tillë. Janë mesatarisht 4.26 punime të botuara në revista shkencore për profesor në UP.Janë 532 punime të botuar në revista të dyshimta nga 152 profesorë”, vazhdoi ai.

Sipas tij, mund të konstatohet se ndonëse shumica e  profesorëve në UP kanë problem me integritetin akademik, situata është duke u përmirësuar në 3 vitet e fundit si pasojë e presionit të organizatave të shoqërisë civile, dhe në anën tjetër gatishmërisë së menaxhmentit të UP-së dhe Senatit që në situata kritike kanë marrë vendime me rëndësi.

Të ngjashme