Organizatat për lirinë e medias i shkruajnë Kurtit për drejtorin e ri të RTK-së

Prishtinë | 03 Shk 2023 | 15:15 | Nga Ekonomia Online

Instituti Ndërkombëtar i Shtypit dhe katër organizata për lirinë e medias i kanë dërguar letër kryeministrit Albin Kurti për procesin e emërimit në Radiotelevizionin e Kosovës.

Ata kanë shprehur shqetësimin për emërimin e drejtorit të ri të televizionit, Rilind Gërvallës.

Në letër janë përmendur standardet e Këshillit të Evropës për këtë proces që emërimet nuk mund të përdoren për të ushtruar ndikim politik ose ndikim tjetër mbi funksionimin e medias së shërbimit publik, si dhe Individët e emëruar në pozitat drejtuese brenda transmetuesve të shërbimit publik duhet të jenë plotësisht të pavarur nga të gjitha partitë politike dhe interesat e veta.

Megjithatë, thuhet në letër, vërehet se lajmet e shumta të publikuara nga mediat në Kosovë kanë treguar lidhje të qarta mes Gërvallës dhe Vetëvendosjes.

“Organizatat tona besojnë se këto lidhje vënë në pikëpyetje integritetin e procesit dhe rrezikojnë të minojnë më tej besimin e publikut në autonominë politike të transmetuesit”, thuhet në letër.

Instituti ka thënë se kanë monitoruar zhvillimet në transmetuesin publik që nga ardhja e Vetëvendosjes në pushtet, dhe se ka vërejtur “përparimin e lavdërueshëm të bërë gjatë administratës suaj në mbikëqyrjen e depolitizimit të RTK-së dhe strukturave të saj menaxhuese pas dekadave të kontrollit shtetëror, përfshirë këtu edhe vendimet e fundit menaxheriale të marra nga Bordi”.

“Është jetike që ky përparim i arritur me vështirësi, i udhëhequr nga partia juaj, të mos minohet. Besojmë se për sa kohë që Gërvalla shërben si drejtor i televizionit, nuk do t’iu lejojë ju dhe partisë suaj që të vazhdoni depolitizimin dhe reformën në transmetuesin publik”, thuhet në letrën drejtuar Kurtit.

Ndërkaq, instituti ka sugjeruar që të organizohet proces i ri rekrutimi dhe emërimi për të siguruar që pozicioni të plotësohet nga një kandidat profesionist, pa lidhje me qeverinë apo ndonjë parti politike.

Po ashtu, instituti bashkë me organizatat e tjera kanë shprehur shqetësimin edhe për shkurtimin vjetor të financimit të vendosur për RTK-në nga qeveria.

Organizatat e përfshira në letër: Article 19 Europe, Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias, Federata Evropiane e Gazetarëve dhe Reporterët Pa Kufij.

Të ngjashme