Osmani: Diaspora është shtylla më e fortë e popullit tonë dhe zgjatimi i shpirtit të Kosovës përtej kufijve

Gjenevë | 22 Maj 2025 | 20:58 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të vizitës së saj shtetërore në Zvicër, ka zhvilluar një takim me përfaqësues të diasporës në Gjenevë, ku vlerësoi lart rolin dhe kontributin e mërgatës në ndërtimin dhe fuqizimin e shtetit të Kosovës.

“Është një emocion dhe forca më e madhe që ju çdo herë ia jepni vendit tonë. Sepse ju, qindra mijëra shqiptarë në Zvicër, nuk jeni thjesht një mërgatë – ju jeni shtylla më e fortë e popullit tonë, ju jeni zgjatimi i shpirtit të Kosovës përtej kufirit të saj. Largësia kurrë nuk e ka shuar sakrificën, mundin dhe punën tuaj për ta bërë Kosovën dhe gjithë shqiptarinë çdo ditë e më të fortë, çdo ditë e më të suksesshme,” tha Presidentja Osmani.

Ajo kujtoi se pikërisht në Zvicër kanë filluar përkrahjet e para për lirinë e Kosovës dhe theksoi rolin e veçantë të kësaj mërgate në historinë e shtetndërtimit.

“Pikërisht këtu në Zvicër kanë filluar përkrahjet e para për lirinë e Kosovës. Këtu kanë punuar disa prej heronjve më të mëdhenj të vendit tonë, përfshirë edhe Agim Ramadanin, disa nga shokët e të cilit i kemi sot këtu. Nuk ka shpërblim më të madh për atë sakrificë të Agim Ramadanit dhe shumë të tjerëve që kanë dhënë jetën për liri, sesa shteti zviceran – shteti që u bë strehë dhe mburojë për djemtë e vajzat nga Kosova që nga vitet ’60 e tutje, për të organizuar bankete shtetërore për themelimin e shtetit të Kosovës,” theksoi Osmani.

“Me mirënjohje të veçantë ajo përmendi Shukrije Ramadanin, duke e vlerësuar si një ndër zërat që vazhdon përkushtimin për ta bërë Kosovën edhe më të fuqishme, së bashku me shumë përfaqësues të mërgatës që janë, siç tha ajo, “epitoma e suksesit”, tha ajo. 

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e komunitetit shqiptar në Zvicër falënderuan Presidenten për vizitën dhe respektin që po tregon institucionalisht ndaj mërgatës.

Kryetari i shoqatës “Smira”, Ramadan Rrahmani, tha se kjo vizitë nuk është simbolike, por një dëshmi e çmuar për kontributin e mërgatës.

“Shprehim mirënjohjen tonë të thellë për këtë vizitë, që nuk është simbolike por është një dëshmi për kontributin e mërgatës, për sakrificën e saj dhe përkushtimin e palëkundur për atdhe. Për të gjithë ne që jetojmë në mërgatë, vizita juaj na jep besim, motiv dhe krenari sepse tregon qartë se Kosova vlerëson dhe e respekton kontributin e bijve dhe bijave të saj kudo që ndodhen,” u shpreh Rrahmani.

Edhe kryetari i komunitetit shqiptar në Gjenevë, Nasuf Nuhiu, vuri në dukje organizimin e gjatë të shqiptarëve në këtë qytet dhe kontributin e tyre për çështjen kombëtare.

“Në Gjenevë prej shumë dekadash jeton një pjesë e madhe e mërgimtarëve tanë që janë organizuar në forma të ndryshme, duke dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në fusha të ndryshme në dobi të çështjes kombëtare, deri tek dëshmorët e kombit që dhanë jetën për liri. Ky organizim vazhdon edhe sot përmes shumë shoqatave që veprojnë në fusha të ndryshme, me theks të veçantë në ruajtjen e gjuhës, kulturës, traditës dhe në aktivitete të shumta vullnetare që kontribuojnë në mirëqenien e popullit tonë,” tha Nuhiu.

Të ngjashme