Osmani: Kosova e ka përkushtim të përhershëm anëtarësimin në familjen euro-atlantike

Prishtinë | 24 Mar 2022 | 15:07 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në fjalimin e saj në përvjetorin e 23 të fillimit të bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve në ish-Jugosllavi, ka thënë se në atë ditë fati dhe jeta e gjithsecilit në Kosovë mori kthesën e shpresës.

“Si sot, 23 vite më parë, më 24 mars 1999, fati dhe jeta e gjithsecilit nga ne mori kthesën e shpresës. Kjo, me ndihmën e aleatëve tanë, të cilët vendosën t’i japin fund gjenocidit dhe krimeve të paskrupullta nga ana e Millosheviqit që synonte me çdo kusht shfarosjen e popullit tonë. Bombat e drejtuara mbi caqet e ushtrisë dhe policisë serbe ishin sinjali i parë se shpresa dhe e drejta e dy milionë shqiptarëve për liri dhe demokraci po jetësohej. Prandaj sot e përjetësisht i jemi mirënjohës NATO-s, ashtu siç i jemi mirënjohës trupave paqeruajtëse, grave e burrave të cilët i dolën në krahë te drejtës dhe paqes, duke vulosur mbrojtjen dhe lirinë e sigurinë e çdo qytetari të Kosovës”, ka thënë Osmani në fjalimin e saj. “Ndërhyrja e NATO-s i hapi rrugë rilindjes së lirisë dhe demokracisë në Kosovë. Kjo, pas dekadash dhune, aparteidi e diskriminimi sistematik që rezultoi në një luftë të përgjakshme e udhëhequr nga synimet fashiste për të vrarë, përdhunuar e shpërngulur më dhunë popullin e Kosovës nga toka e tyre”.

Osmani ka thënë se në këto 23 vite është dëshmuar se ndërhyrja e aleatëve nuk ishte thjesht gjest njerëzor e fisnik, por ishte veprimi i vetëm i mundshëm.

“Është për të ardhur keq që sot gjejmë veten në një pozicion ku duhet të mbrojmë vendimin e drejtë të NATO-s për ta ndalur gjenocidin në Kosovë. Por, të jeni të sigurt që ne nuk do të ndalemi asnjëherë nga mbrojtja e së vërtetës! E vërteta është kjo: ndërhyrja e NATO-s nuk ishte vetëm e nevojshme, por ishte mëse e mirëpritur nga populli i Kosovës. Vetë ekzistenca jonë si popull i lirë dhe i pavarur është suksesi i përbashkët i rezistencës sonë çlirimtare dhe vendimit të NATO-s për të ndërhyrë. Në këto 23 vite, ne ua kemi dëshmuar aleatëve tanë se ndërhyrja nuk ishte thjesht një gjest njerëzor e fisnik, por ishte veprimi i vetëm i mundshëm. Ndërhyrja shpëtoi jetë, krijoi shpresë, na dha krahë për të ndërtuar vendin që e duam sot dhe na mundësoi t’i japim zë sukseseve të Kosovës si shtet i pavarur e sovran. Për forcat destruktive që sot i vënë në pikëpyetje qëllimet e NATO-s, ajo që është më me rëndësi është se populli i Kosovës – populli më pro NATO në botë – e di të vërtetën. Bota demokratike, po ashtu, e di të vërtetën”, tha Osmani.

Osmani ka thënë se në Ukrainë po dëshmohet sërish se si shkelet demokracia e vritet liria. Presidentja e Kosovës ka thënë se Kosova e qytetarët e saj janë të përkushtuar që të anëtarësohen në familjen euro-atlantike, duke mbrojtur vlerat e përbashkëta për liri e demokraci.

“Sot, edhe një herë, shohim se si shkelet demokracia dhe vritet liria. Pikërisht sot, më 24 mars, NATO është mbledhur për të diskutuar për agresionin ushtarak rus kundër Ukrainës. Pamjet rrëqethëse të sulmeve ndaj civilëve të pafajshëm ukrainas janë përkujtues i rëndë e i vështirë i një të kaluare të errët për popullin tonë. Por ne, si shtet, nuk i kemi marrë asnjëherë të mirëqena veprimet e aleatëve tanë në mbështetje të Kosovës. Këtë ua kemi dëshmuar duke u rreshtuar në një vijë me ta e duke qëndruar të bashkuar përballë tiranisë e autokracisë. Po ashtu, një gjë është e sigurt: mësimet nga e kaluara qartësojnë vizionin për të ardhmen, prandaj Kosova dhe ne si qytetarë të saj kemi përkushtim të përhershëm rrugën drejt anëtarësimit në familjen euro-atlantike duke mbrojtur vlerat e përbashkëta për liri dhe demokraci”.

Të ngjashme