Osmani: Nëse nuk arrihet marrëveshje s’e kam problem ta dërgoj çështjen në Kushtetuese

Prishtinë | 15 Maj 2025 | 15:53 | Nga Ekonomia Online

Pas takimit me drejtuesit e partive politike, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se nëse vazhdon zvarritja e konstituimit të Kuvendit, ajo është e gatshme të shfrytëzojë prerogativat kushtetuese dhe ta dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, raporton Ekonomia Online.

 Ajo theksoi se nuk pati kundërshtime nga liderët partiakë për një hap të tillë, por shtoi se do të pritet edhe disa ditë për të parë nëse arrihet një marrëveshje politike.

“Nëse kjo zvarritet shumë, janë disa opsione që vetë deputetët ta shfrytëzojnë. Deri tani AAK ka kontestuar një vendim, por që lidhet me formën e votimit jo domosdo me proceset tjera. Të shfrytëzoj prerogativat kushtetuese dhe t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese. Sot ajo çfarë kam shprehur para liderëve, që nëse do të kishte pajtim edhe nga ana e tyre, unë nuk kam ndonjë problem që ta dërgoj këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese, nuk pat ndonjë kundërshtim nga asnjëri prej tyre. Megjithatë, ne do të presim nëse ditët në vijim do të rezultojnë me marrëveshje politike apo arritje të një marrëveshje më të gjerë për konstituimin e Kuvendit para se të procedojmë me diçka e tillë”.

Të ngjashme